Studentët në Serbi kanë bërë të ditur se do të vazhdojnë protestat edhe në mbrëmjen e sotme, pas ngjarjeve të ndodhura gjatë natës së 13 dhe 14 gushtit.
Përmes rrjeteve sociale, ata kanë shpërndarë detaje mbi vendndodhjen dhe orarin e mbajtjes së tubimeve, duke u bërë thirrje qytetarëve në mbarë vendin të bashkohen në protestë.
Në kryeqytetin Beograd, protestat pritet të nisin në orën 19:30. Një natë më parë, në rreth 30 qytete u zhvilluan protesta nën sloganin “Serbi, zgjohu”, ku përplasjet më të forta mes protestuesve dhe policisë ndodhën në Beograd dhe Novi Sad, kryesisht pranë selive të partisë në pushtet, SNS.
Për herë të parë, në përplasjet morën pjesë edhe pjesëtarë të Forcave të Armatosura Serbe, përfshirë ushtarë të njësisë elitare “Kobra”.
Shtatë efektivë të ushtrisë u plagosën gjatë incidenteve, ndërsa katër prej tyre kanë marrë dëmtime serioze.
Studentët kanë theksuar se protestat po zhvillohen si reagim ndaj dhunës së ushtruar në Vrbas, ku protestuesit janë sulmuar nga mbështetës dhe anëtarë të Partisë Progresive Serbe me mjete të rrezikshme si fishekzjarrë, gurë, shishe me ujë të ngrirë dhe objekte të tjera.