Një incident i rëndë ka ndodhur të enjten në mbrëmje në fshatin Zlipotok të Dragashit, ku deputeti i Kuvendit të Kosovës, Adem Hoxha, është sulmuar fizikisht së bashku me bashkëshorten dhe vajzën e tij të mitur.
Sipas mediave kosovare, ngjarja ka ndodhur më 1 gusht 2025, rreth orës 18:10, kur deputeti 57-vjeçar, bashkëshortja e tij N.H., rreth 50 vjeç, dhe vajza e tyre 14-vjeçare, janë përfshirë në një përleshje fizike me një të dyshuar, S.K., 61 vjeç.
Policia është njoftuar nga QKMF-ja në Dragash rreth orës 18:30, pasi deputeti ishte paraqitur me lëndime trupore. Pas marrjes së ndihmës së parë, ai është dërguar në Spitalin Rajonal të Prizrenit, ku sipas mjekëve ka pësuar lëndime të lehta.
Zëdhënësi i Policisë së Prizrenit, Shaqir Bytyqi, ka konfirmuar se përveç deputetit, janë lënduar edhe bashkëshortja dhe vajza e tij e mitur. Motivi i përleshjes mbetet ende i paqartë.
Policia dhe njësia e hetimeve janë angazhuar menjëherë në vendin e ngjarjes, dhe në koordinim me prokurorin kujdestar është iniciuar rasti “Lëndim i lehtë trupor”. I dyshuari është ndaluar për 48 orë me vendim të prokurorit.