Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Caroline Levitt njoftoi sot takimi mes presidentit amerikan, Donald Trump dhe homologut rus, Vladimir Putin do të mbahen në Anchorage. Zëdhënësja Caroline Levitt njoftoi lajmin gjatë një konference për shtyp, duke thënë se bisedimet midis udhëheqësve të SHBA-së dhe Rusisë do të zhvillohen në qytetin më të madh të Alaskës.

“Të premten në mëngjes (sipas orës lokale), Presidenti Trump do të udhëtojë nëpër vend drejt Anchorage, Alaska, për një takim dypalësh me Presidentin rus Vladimir Putin. Presidenti Trump është i vendosur të përpiqet t’i japë fund kësaj lufte dhe të ndalojë vrasjet. Siç e ka deklaruar vazhdimisht, ai gjithmonë do të preferojë paqen dhe bashkëpunimin, sa herë që këto rezultate mund të arrihen. Nuk ka udhëheqës në botë tani që është më i përkushtuar për të parandaluar ose përfunduar luftërat sesa Presidenti Trump”, tha zëdhënësja e qeverisë amerikane.

E pyetur nëse Zelenskyy nuk është ftuar në takim, ajo tha: “Ky takim po zhvillohet sepse Presidenti i Rusisë i ka kërkuar Presidentit të Shteteve të Bashkuara të takohet, përmes të dërguarit të tij të posaçëm, Steve Wittkoff. Presidenti Trump e ka pranuar këtë takim me kërkesë të Presidentit Putin. Kjo administratë ka përdorur vërtet çdo mjet, ka marrë çdo masë për të arritur paqen përmes një zgjidhjeje diplomatike. Vetëm një nga palët e përfshira në këtë luftë do të jetë e pranishme, kështu që presidenti do të shkojë atje për të kuptuar më mirë se si mund ta përfundojmë, shpresojmë, këtë luftë”.

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë se do të tentojë t’ia kthejë Ukrainës një pjesë të territorit të vet në takimin që do ta ketë me presidentin rus, Vladimir Putin më 15 gusht. Trump u shpreh se bisedimet në Alaskë do të jenë të natyrës fillestare, dhe kanë për qëllim të bindin Putinin për t’i dhënë fund luftës, dhe që do të ketë disa shkëmbime territoresh.

Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov zhvilloi një bisedë telefonike me Sekretarin e Shtetit të SHBA-së Marco Rubio, sipas agjencisë ruse të lajmeve Tass. Të dy ministrat diskutuan përgatitjet për takimin e Donald Trump me Vladimir Putin në Alaska të premten. Ministria e Jashtme ruse tha se të dyja palët konfirmuan qëllimin e tyre për të zhvilluar bisedime produktive.