Diplomati Jorgji Kote e konsideron fitore për Vladimir Putinin takimin me Donald Trumpin në Alaskë.
Në një intervistë për Report Tv me gazetaren Megi Sotiri, Kote tha se të hënën takimi i planifikuar mes Trump dhe Zelenskit në Uashington do të jetë për ta njohur me faktet Presidentin ukrainas.
Sipas diplomatit Kote, Trump do t’i lërë në dorë ‘dopio 6’ Zelenskit dhe Evropës.
Ai shprehet se Presidenti amerikan nuk është interesuar për paqen në Ukrainë, por kërkon që kjo luftë të mbyllet dhe të bëjë biznes me Rusinë.
“Takimi trapalësh nuk është e mundur të bëhet. Nuk mund të takohet Putini me Zelenskin, aq më tepër në Moskë, siç bëri ftesën ai. Ai mund të takohet, por me plotësimin e kushteve të njohura nga Ukraina të cilat nuk mund të bëhen nga Zelenski e as nga një tjetër. Të hënën takimi Zelenski-Donald Trump do jetë një takim i zakonshëm. Trumpi do ta njoftojë dhe do t’i lëjë ‘dopio 6’ gjeopolitike në dorë Ukrainës dhe Evropës. Zgjidheni ju tani, unë nuk kam se çfarë të bëj, është çështja juaj. Se Trumpi nuk ka interes për paqen në Ukrainë. Trumpi do të mbyllet ky muhabet që të marri Nobelin, të bëjë biznes me Rusinë dhe Ukrainën e pastaj të vazhdojë problemet e tjera me Kinën. Ai do Amerika, Rusia dhe Kina. Evropa jashtë”, tha ndër të tjera diplomati Jorgji Kote.
Trump ka ftuar në Uashington Presidentin ukrainas të hënën më 18 gusht për ta informuar për bisedimet që pati me Presidentin rus Putin në lidhje me arritjen e një paqeje për Ukrainën.