Një ngjarje e rëndë është shënuar në Sukth të Durrësit, ku një 32-vjeçar i quajtur Benard Shkajoti tentoi të vriste me makinë komshiun e tij pas një sherri mes të dyve.
Sipas policisë, 32-vjeçari përplasi me makinë komshiun, duke i shkaktuar lëndime. Ky i fundi u dërgua në spital.
Ngjarja ndodhi pas një sherri me fyerje dhe ofendime mes të dyve.
Benard Shkajoti u arrestua dhe rezultoi se ishte i dehur në masën 0.92mg/l.
Ai akuzohet për vrasje me dashje të mbetur në tentativë dhe drejtim mjeti në mënyrë të parregullt.
Njoftimi i Policisë Durrës:
Tentoi të vriste me makinë komshiun e tij, vihet në pranga 32-vjeçari.
Specialistët për Hetimin e Krimeve ndaj Personit, në DVP Durrës, arrestuan në flagrancë shtetasin B. Sh., 32 vjeç, banues në Sukth, Durrës, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Vrasje me dashje”, e mbetur në tentativë dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.
Në fshatin Perlat, Sukth, pas një konflikti për motive të dobëta (fyerje dhe ofendime), ky shtetas tentoi të vriste me automjetin që drejtonte, komshiun e tij, shtetasin L. D., 40 vjeç, banues në Sukth. Ky i fundit, si pasojë e goditjes me automjet, pësoi dëmtime dhe u transportua në Spitalin Rajonal Durrës, ku po merr ndihmë mjekësore.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës dhe shërbimet e Policisë Rrugore i kryen testin e alkoolit, ku rezultoi se ai drejtonte automjetin në gjendje të dehur, me masën 0.92 mg/l.
Automjeti u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Në bashkëpunim me Prokurorinë, vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.