Melania Trump ka kërcënuar se do të padisë Hunter Biden, djalin e Joe Biden, për 1 miliard dollarë pasi ai nënkuptoi se Jeffrey Epstein e prezantoi atë me presidentin aktual të SHBA-së.
Avokati i Zonjës së Parë të SHBA-së kërkoi që Hunter Biden “të tërheqë menjëherë deklaratat e rreme, shpifëse, përçmuese dhe provokuese” që bëri për Melania Trump në një intervistë në emisionin e tij në YouTube “Channel 5 me Andrew Callaghan”.
“Mosrespektimi i rregullave nuk do ta lërë znj. Trump pa zgjidhje tjetër veçse të ndjekë të gjitha të drejtat dhe mjetet ligjore në dispozicion për të rikuperuar dëmin e madh financiar dhe të reputacionit që i ka shkaktuar”, shkroi avokati Alejandro Brito në një letër të datës 6 gusht drejtuar djalit të ish-presidentit dhe avokatit të tij.
“Duke pasur parasysh historinë tuaj të gjatë të shfrytëzimit të emrave të të tjerëve – përfshirë mbiemrin tuaj – për përfitime personale, është e qartë se keni publikuar këto deklarata të rreme dhe shpifëse për znj. Trump për të tërhequr vëmendjen mbi veten tuaj”, shprehet avokati i Melania Trump në padi.
Gjatë një interviste me regjisorin Andrew Callaghan të publikuar në fillim të këtij muaji, Hunter Biden pretendoi se dokumentet e papublikuara në lidhje me Epstein do të “implikonin” presidentin Trump.
“Epstein e prezantoi Melanian me Trumpin – lidhjet janë kaq të gjera dhe të thella.” , tha Hunter Biden.
Letra ligjore e Melanias vjen pas disa javësh presioni mbi Shtëpinë e Bardhë për të publikuar të ashtuquajturat dosjet Epstein, dokumente të pazbuluara më parë që lidhen me hetimin penal kundër pedofilit të dënuar.
Përpara se të rizgjidhej, Trump tha se do t’i publikonte të dhënat nëse do të kthehej në detyrë, por FBI-ja dhe departamenti i drejtësisë thanë në korrik se nuk ekzistonte asnjë listë klientësh “inkriminues” të bashkëpunëtorëve të Epstein.