Klani Çelaj-Çopja ishte një nga sindikatat më të fuqishme kriminale në Europë, vendimet e të cilit diktonin çmimin e kokainës në gjithë kontinentin. I drejtuar nga Franc Çopja, 33 vjeç, dhe Ervis Çela, 41 vjeç, grupi shqiptar trafikonte miliarda paund kokainë nga Amerika Latine drejt porteve të BE-së. Pas fitimeve kolosale, paratë e pista pastroheshin përmes një perandorie të gjerë tregtare që përfshinte prona të shumta, një resort turistik me pesë yje, vila dhe apartamente luksoze.

Bosët e drogës kishin grumbulluar aq shumë para sa grindeshin nëse ishte më mirë t’i fshihnin kartëmonedhat nën rrënjët e ullinjve apo t’i kthenin në shufra ari. Por brenda pak ditësh, karteli u shkatërrua: Çopja dhe Çela u arrestuan bashkë me njerëzit më të afërt dhe asetet e tyre u sekuestruan nga SPAK.

Në mars 2021, hetuesit arritën të ‘depërtonin’ në SkyECC, një aplikacion me mesazhe të enkriptuara, duke ekspozuar aktivitetet e tyre kriminale. Çela, i kërkuar në Itali për torturimin dhe vrasjen e një rivali shqiptar në prostitucion, u arrestua bashkë me dy vëllezër të tij dhe tetë bashkëpunëtorë të tjerë në një sërë operacionesh të befasishme në qershor dhe gusht.

Çopja ishte arrestuar në Belgjikë në dhjetor 2023 dhe po gjykohet për vrasje pasi u ekstradua nga vila e tij luksoze në Dubai. Ai konsiderohet si “truri logjistik” i organizatës, i ngarkuar me sigurimin e transportit të kokainës nëpër portet e Europës veriore.

Kjo organizatë kriminale mund të konsiderohet si një nga më të fuqishmet shqiptare në tregtinë ndërkombëtare të kokainës,” deklaruan në një komunikatë të përbashkët prokurorët Altin Dumani dhe Vladimir Mara. “Ajo kishte kapacitetin të ndikonte drejtpërdrejt çmimin e kokainës në tregjet europiane dhe të menaxhonte sasi të mëdha të lëndës narkotike në periudha të shkurtra kohe.”

Karteli kontrollonte të gjithë zinxhirin e trafikut të kokainës, nga prodhimi dhe përpunimi në laboratorët e Paraguajit, te transporti ndërkombëtar dhe shpërndarja në Europë, e deri te pastrimi i parave dhe qarkullimi i tyre në Shqipëri dhe vende të tjera.

Një pjesë e kokainës besohet se është trafikuar drejt Mbretërisë së Bashkuar, ku, sipas Agjencisë Kombëtare të Krimit (NCA), bandat shqiptare kontrollojnë një pjesë të madhe të tregut fitimprurës. Një kilogram kokainë në Britani vlerësohet me 40 mijë paund, dyfishi i çmimit në Europë.

Sipas Europol-it, Sky ECC përdorej gjerësisht për qëllime kriminale: trafik droge, pastrim parash dhe shpërndarje të materialeve të abuzimit seksual me fëmijë. Megjithëse platforma u mbyll, qindra milionë mesazhe të enkriptuara mbeten të disponueshme dhe janë analizuar nga autoritetet ligjzbatuese në Europë dhe më gjerë për vite me radhë.

Një aktakuzë 282 faqëshe e lëshuar më 8 gusht nga SPAK, e siguruar nga The Telegraph, tregon se grupi kishte planifikuar të transportonte 28 tonë kokainë të fshehur në kuti sapuni, kanaçe boje apo ngjitës industrial nga Paraguaji drejt porteve të Hamburgut dhe Antwerpit midis viteve 2020 dhe 2021.

Më 12 shkurt 2021, 16.4 tonë kokainë e pastër, e fshehur në 1.700 kanaçe gëlqereje, me vlerë tregu rrugor prej 3 miliardë paundësh, u sekuestrua në porte, konfiskimi më i madh i kokainës në historinë e Europës. Një tjetër ngarkesë, që kaloi me sukses në portin e Antwerpit në vitin 2020, vlente 1.3 miliardë paund.

Grupi zhvilloi një sistem të sofistikuar për transferimin e fitimeve nga trafiku i drogës nga Europa në Shqipëri, përfshirë përdorimin e korrierëve për dërgimin e parave dhe një rrjeti “hawala” që lejonte qarkullimin e qindra milionë eurove në cash. Çela dyshohet se drejtonte operacionin duke qëndruar në arrati në Paraguaj.

Në një komunikim më 12 dhjetor 2020, Çela i tha Çopjës se planifikonte të groposte eurot nën rrënjët e ullinjve të tij në Shqipëri. Çopja e paralajmëroi se kartëmonedhat do të kalbeshin nën tokë dhe e nxiti t’i kthente në shufra ari.

Çela u përgjigj: “Nuk ka ar… Duhet të grabis një bankë… Duhet ta porosis nga Afrika.”

Çopja i tha: “Njoh dikë që mund të na e sigurojë [arin].”

“Pyete, çfarëdo që ka, 100/200 kilogramë,” iu kthye Çela.

Biseda më pas kaloi te orët luksoze dhe tokat bujqësore. Pasdite, Çela shpalosi plane për të blerë dy ferma në Paraguaj për 10 milionë paund, që sipas tij do t’i sillnin 1,8 milionë paund fitim në vit.

Në një tjetër bisedë me vëllanë në nëntor 2020, përmes Sky ECC, Çela shkroi se 800 mijë paund që i detyrohej një trafikant u vonuan “për shkak të rënies së tregut britanik”.

Çela kishte kaluar 11 vjet në arrati para se të arrestohej më 29 qershor në fshatin bregdetar të Qeparos, në jug të Shqipërisë. Së bashku me vëllanë Ardian dhe bashkëpunëtorin Hiseni Fatos, ai ishte dënuar në Itali për vrasjen e Petrit Keçit në shtator 2008, i cili kishte tentuar të hynte në rrjetin e tyre të prostitucionit në San Benedetto del Tronto. Treshja u shpall fajtore për rrahjen dhe ekzekutimin e Keçit me gjashtë plumba në kokë, para se t’i digjnin trupin për të fshehur krimin.

Çela u dënua me 30 vjet burg, ndërsa vëllai i tij me 18 vjet. Por ata apeluan vendimin dhe, për shkak se afati i paraburgimit skadoi para rigjykimit, u liruan në maj 2014, duke u dhënë mundësinë të arratiseshin jashtë vendit dhe të humbnin gjurmët në botën e krimit.

Tashmë Çela duhet të vuajë një dënim prej 21 vitesh për vrasje, rrëmbim, fshehje kufome, kërcënime, posedim të paligjshëm të lëndëve plasëse e municioneve dhe pengim të drejtësisë, përveç çdo dënimi që mund të marrë për trafikun e drogës dhe veprat e tjera.

Një nga asetet më të spikatura të sekuestruara nga SPAK ishte resorti luksoz “Ajman Park” në Shijak, 27 kilometra nga Tirana. Në faqen ende aktive të hotelit, ofrohet “siguri 24 orëshe” për ata që duan të marrin me qira pallatin “Marvel Palace” me stil greko-romak për dasma apo të shijojnë kuzhinën e restorantit Sushi dhe Steakhouse.

Këto sekuestrime përbëjnë një ndërhyrje të rrallë nga autoritetet shqiptare, të cilat pothuajse asnjëherë nuk kanë hapur hetime mbi origjinën e kapitaleve të mëdha që kanë përfshirë sektorin e turizmit dhe ndërtimit në vend./The Telegraph