Luis Hemilton duket i dëshpëruar. Asgjë nuk po shkon siç duhet me Ferrarin dhe piloti britanik, i cili kishte menduar të shkonte te skuadra italiane për t’u bërë protagonist, e sheh veten shumë larg çdo pretendimi që kishte. Dhe pas provave zyrtare të Çmimit të Madh të Hungarisë, ku ai doli i 12-ti dhe Lëklerk siguroi pole-position, Hemilton ka deklaruar se skuadra duhet ta largojë atë.
“Jam i padobishëm, nuk është faji i skuadrës. Çfarë më mungon? Nuk e di, nuk e di. E pyes edhe unë veten. Nuk kam përgjigje për të dhënë. Ndoshta duhet ndërruar piloti, pasi me sa duket është e mundur që të çosh këtë makinë në pole-position”, ishin fjalët e pilotit britanik për “Sky” pas kualifikueseve
Deklaratat kanë bërë shpejt xhiron e rrjetit si një shenjë dorëzimi të britanikut dhe sinjal lamtumire të tij. Por shefi i skuadrës, Vasër, ka mbështetur menjëherë pilotin. “Është thjesht çështje fraksionesh të sekondës. Nuk njihen kushtet e pistës, ka shumë të panjohura. Edhe dritarja për të hyrë në pistë është e ngushtë. Për atë është shumë stresuese, i mungoi një xhiro më shumë në kualifikueset e dyta. Duhet të mësojmë nga këto situata. Të përqendrohemi te vetja dhe mundohemi të bëjmë një strategji të bukur në menaxhimin e gomave”, tha ai për të qetësuar disi situatën.