Një trafikant droge i është arratisur Policisë së Kosovës duke braktisur edhe një çantë me 21 kg drogë. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e djeshme, rreth orës 20:30.

Ngjarja ka ndodhur në vijën e gjelbër kufitare mes Shqipërisë dhe Kosovës, në pjesën e Vermicës.

Sipas informacioneve, një person i dyshuar si trafikant, i cili mbante një çantë shpine, ka tentuar të hyjë në territorin e Kosovës përmes vijës së gjelbër. Në atë moment ai është ndeshur me njësitin antidrogë të Policisë së Kosovës, të cilët ndodheshin në operacion dhe në veshje civile.

Burimet thonë se, sapo është vënë re nga policët dhe pasi ata janë prezantuar si pjesë e njësisë antidrogë, i dyshuari i ka drejtuar armën efektivëve, duke paraqitur rrezik për jetën e tyre. Më pas ai ka braktisur çantën dhe është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.

Pas kontrollit të çantës së lënë në vendngjarje, u konstatua se brenda saj ndodhej një sasi e konsiderueshme e lëndës narkotike. Sipas matjeve të bëra nga Njësia e Antidrogës, u konfirmua se bëhej fjalë për rreth 21 kilogramë marihuanë.

“Policia e Kosovës, respektivisht njësia hetimore nga Departamenti i Kufirit me datën 20.08.2025, rreth orës 20:30 gjatë veprimeve hetimore në zonën kufitare Kosovë-Shqipëri përgjatë vijës së gjelbër, ka hasur në një person të dyshuar i cili ishte duke e bartur një çantë dhe ishte i armatosur. I njëjti në momentin që ka vërejtur zyrtarët policorë ka drejtuar armën e zjarrit në drejtim të zyrtarëve policorë, duke paraqitur rrezik të drejtpërdrejtë ndaj tyre. Zyrtarët policorë kanë tentuar që ta ndalojnë të dyshuarin duke u prezantuar, mirëpo i njëjti ka hedhur çantën dhe ka arritur që të dalë në zonën malore në drejtim të Shqipërisë.

Lidhur me rastin është kontrolluar çanta ku është vërejtur sasi e substancës së dyshuar narkotike e llojit marihuanë, e cila pas matjes nga Njësia e Antidrogës ka rezultuar rreth 21 kilogramë (marihuanë). Për veprimet e ndërmarra lidhur me rastin është njoftuar prokurori kompetent, me udhëzim të të cilit është iniciuar rasti i cili mbetet të trajtohet nga DHTN – Prizren”, njofton Policia e Kosovës.
Policia ka nisur hetime të mëtejshme për identifikimin dhe arrestimin e të dyshuarit, ndërsa rasti është cilësuar si tentativë për trafikim të lëndëve narkotike dhe sulm ndaj zyrtarëve policorë. “Sa i përket kërcënimit të jetës së policëve nga trafikanti që drejtoi armën ndaj tyre, zëdhënësi i Policisë Rajonale të Prizrenit, Shaqir Bytyçi, deklaroi për Report TV se nuk ka pasur të shtëna me armë zjarri në drejtim të policëve.”