Nga Enver Robelli

Elias Canetti, Czesław Miłosz dhe Bertolt Brecht kanë një datë të përbashkët: të tre kanë vdekur më 14 gusht. Canetti më 1994, Miłosz më 2004 dhe Brecht më 1956. Në vijim disa të dhëna për këta autorë dhe lidhjet e tërthorta me botën shqiptare.

Elias Canetti ishte hebre. U lind në Bullgari. Më saktë: në Rusçuk (ose Ruse). Në kujtimet e tij e përshkruan pazarin e Rusçukut; mes shumë tregtarëve përmend edhe shqiptarët. Në biografinë e Canettit reflektohet krejt historia e shekullit 20-të: ai ishte hebre me origjinë, bullgar sepse u lind (më 1905) në Principatën e Bullgarisë e cila i nënshtrohej sovranitetit të Perandorisë Osmane, rrjedhimisht Canetti ishte shtetas osman (si – për shembull – Eqrem Bej Vlora). Më 1911, një vit para kolapsit të Perandorisë Osmane në Ballkan, familja Canetti emigroi në Manchester të Britanisë së Madhe; atje anëtarët e familjes Canetti shkuan “me pasaporta turke”, siç tregon Canetti. Atje Canetti mori shtetësinë britanike. Më 1912 Canettët u shpërngulën në Vjenë. Më 1916 ata erdhën në Zürich, në Zvicrën neutrale. Në Zürich, në varrezat Fluntern, është i varrosur Elias Canetti. Pranë James Joycit, shkrimtarit të madh irlandez.

Cantetti u shpërblye me çmimin Nobel për Letërsi më 1981. Në librin e tij “Gjuhë e shpëtuar. Histori e një rinie” Canetti shkruan: “Kur dikush udhëtonte Danubit përpjetë në Vjenë, thuhej se ai po shkon në Europë, Europa fillonte aty ku dikur kishte përfunduar perandoria turke”.

Si erdhën Canettët në Bullgari? Në shekullin e 15-të Spanja e krishterë i përndoqi hebrenjtë (sefardët, siç quheshin hebrenjtë e Spanjës). Perandoria Osmane i pranoi krahëhapur rreth 150 mijë hebrenj. Sulltan Bajaziti i II-të, i njohur me nofkën “I Drejti”, u tall me mbretërit e Spanjës duke thënë se duke i dëbuar hebrenjtë i kanë varfëruar vendet e tyre dhe e kanë pasuruar Perandorinë Osmane.

Me poezitë e tij Czesław Miłosz ka ndihmuar në rrëzimin e komunizmit në Poloni. Si Canetti edhe ky është nobelist i letërsisë, i shpërblyer një vit para Canettit. Më 1951 ky autor polak emigroi në Francë. Më vonë ligjëroi si profesor në Berkeley dhe Harvard.

“Ka një lloj insekti që thumbon larvat e insekteve të tjera dhe u injekton një helm”, shkruan Miłosz. “Larvat e trajtuara kështu vazhdojnë të jetojnë, megjithëse janë të paralizuara. Në trupat e tyre insektet helmuese vendosin tani vezët e tyre, dhe trupi i larvave u shërben brezit të ri si një depo e gjallë ushqimi. Në një mënyrë të ngjashme, shpirtit të njeriut në demokracitë popullore i injektohet një mjet narkotizues: ky është materializmi dialektik. Kur mendja është përpunuar, aty vendosen vezët e interpretimit stalinist. Nëse je tashmë marksist, i thuhet pacientit, duhet të jesh edhe stalinist, sepse jashtë stalinizmit nuk ka marksizëm.”

Te libri “Mendja e robëruar”, i përkthyer në shqip nga Bashkim Shehu, Miłosz shkruan: “Fatet e librit kanë qenë të ndryshme nga një vend në tjetrin. I ftuar në Festivalin e Poezisë në Roterdam në vitin 1970, zbulova i habitur nga një grup poetësh indonezianë se isha heroi i tyre. I pyeta se si është e mundur ndërkohë që ata janë nën thundrën e diktaturës së djathtë. M’u përgjigjen: ‘Kjo pak rëndësi ka. Me përjashtim të këtij dallimi, gjithçka tjetër është njësoj’. Libri, i përkthyer në serbisht, u botua në Beograd vonë, në vitet tetëdhjetë, dhe u kthye në bestseller. Meqenëse kam qenë dëshmitar se si miqtë e mi të atjeshëm ishin ftohur me komunizmin, për të rënë menjëherë në nacionalizëm, e kam ndjekur me shqetësim të madh luftën në Bosnjë dhe nuk e kam fshehur qëndrimin tim ndaj agresionit serb, duke u shprehur se përgjegjësinë për të e mbajnë në radhë të parë ata njerëz të penës që hodhën parullën e Serbisë së Madhe”.

Gjatë agresionit serb kundër Bosnjë-Hercegovinës, në gusht të vitit 1993, në shtëpinë e tij në Berkeley, Miłosz shkroi poezinë “Sarajeva”, për të cilën Josif Brodski – edhe ky nobelist nga viti 1987 – e quajti “poet të kujtesës”. Poezia u botua për herë të parë në javoren polake “Tygodnik Powszechny”, në të njëjtin muaj kur edhe u shkrua.

Lidhur me luftën e Kosovës, Miłosz i tha revistës progresive amerikane “Salon”: “E gjithë kjo çështje po vazhdon tashmë prej 10 vitesh. Ajo që serbët po bënin në Bosnjë – spastrimi etnik dhe mizori të tjera – e acaroi opinionin në Europën Perëndimore dhe në Shtetet e Bashkuara, sepse ekzistonte një ndjenjë pafuqie dhe frustrimi të madh përballë çnjerëzores së krimeve masive. Besoj se veprimet e NATO-s janë moralisht, absolutisht të justifikuara, përveçse ndoshta, kur dikush është i frustruar për shumë vite, mund të bëjë gabime nga frustrimi. Kam shkruar një poezi për Sarajevën, duke paralajmëruar se mosveprimi – në këtë rast, mosveprimi i Europës Perëndimore për të parandaluar krimet – mund të ndëshkohet nga fati. Nuk e di nëse bombardimi ishte zgjidhja më e mirë. Por përgjegjësia e serbëve për krimet duhet të kuptohet qartë. Millosheviqi, pa dyshim, është përgjegjës për krimet më të tmerrshme, të cilat praktikisht barazohen me krimet e kryera nga nazistët”.=

E kundërta e Czesław Miłoszit është Bertolt Brecht – nga antikomunistët përherë i dyshuar si komunist. Bertolt Brecht u lind më 10 shkurt 1898 në Augsburg dhe vdiq më 14 gusht 1956 në Berlin. Nga viti 1917 deri më 1918 ai studioi shkencat natyrore, mjekësi dhe letërsi në Universitetin Ludwig-Maximilian të Münchenit. Megjithatë, studimet iu desh t’i ndërpriste që në vitin 1918, pasi u caktua si ushtar sanitar në një spital ushtarak në Augsburg. Që gjatë studimeve, Brecht filloi të shkruante pjesë teatrale.

Që nga viti 1922 ai punoi si dramaturg në teatrin “Münchener Kammerspiele”. Nga viti 1924 deri më 1926 ishte regjisor në Teatrin Gjerman të Max Reinhardtit në Berlin. Max Reinhardt konsiderohet si zbulues i aktorit me origjinë shqiptare, Aleksandër Moisiut. Në vitin 1933, Brecht u largua nga Berlini së bashku me familjen dhe miqtë e tij, duke u arratisur nëpërmjet Pragës, Vjenës dhe Zürichut drejt Danimarkës, më pas në Suedi, Finlandë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Krahas dramave, Brecht shkroi edhe artikuj për disa revista të emigrantëve në Pragë, Paris dhe Amsterdam. Në vitin 1948, ai u kthye nga mërgimi në Berlin, ku deri në vdekjen e tij punoi si autor dhe regjisor, sipas të dhënave të shtëpisë së tij botuese “Suhrkamp”.

Lidhur me vështirësitë e jetës si emigrant Brecht ka shkruar: “Pasaporta është pjesa më fisnike e njeriut. Ajo nuk krijohet aq lehtë si njeriu. Një njeri mund të krijohet kudo, në mënyrën më mendjelehtë dhe pa ndonjë arsye të mençur, ndërsa një pasaportë kurrë. Nga ana tjetër pasaporta pranohet, kur është e mirë, ndërsa një njeri mund të jetë i mirë, por prapëseprapë nuk pranohet”. Në shqip përkthyesi më brilant i Brechtit është mbase Robert Shvarci, një hebre që iku nga Sarajeva dhe gjeti strehë në Shqipëri./ A2 Televizion