Policia e Vlorës ka arrestuar një person dhe proceduar dy të tjerë për zjarrvënie në tre raste të ndryshme. Dy prej të ndaluarve janë banorë të fshatrave, të cilët akuzohen se kanë ndezur zjarre duke shkaktuar djegien e sipërfaqeve të mëdha me shkurre dhe pyje.

Po ashtu, është proceduar edhe një 34-vjeçar pasi dyshohet se nga pakujdesia, hodhi bishtin e cigares duke shkaktuar një zjarr që dogji 30 rrënjë ulliri.

Policia apelon të mos ndizen zjarre për asnjë arsye si dhe i bën thirrje qytetarëve të lajmërojnë menjëherë për çdo rast zjarrvënjeje.

Njoftimi i Policisë:

Ndalohet 1 shtetas dhe procedohen penalisht 2 të tjerë, për 3 raste zjarrvënie, përkatësisht në Lukovë, Bolenë dhe Tragjas.

Lukovë/Ndalohet një 43-vjeçar që shkaktoi zjarr nga pakujdesia, duke hedhur cigaren në tokë.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Himarë bënë ndalimin për veprat penale “Shkatërrimi nga pakujdesia me zjarr i pyjeve dhe i mjedisit pyjor” dhe “Shkatërrimi i pronës nga pakujdesia”, për shtetasin B. A., 43 vjeç, banues në fshatin Lukovë. Nga veprimet hetimore dyshohet se ky shtetas, më datë 10.08.2025, në vendin e quajtur “Lapardha”, pasi ka konsumuar cigare, e ka hedhur në tokë dhe nga pakujdesia ka shkaktuar zjarr, ku si pasojë e përhapjes së flakëve janë djegur 30 rrënjë ullinj, si edhe një sipërfaqe toke me shkurre dhe ferra.

Bolenë/Procedohet penalisht një 34-vjeçar, i dyshuar për djegien e një sipërfaqeje toke me shkurre, bimësi dhe pisha.

Po nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Himarë, pas veprimeve hetimore, u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimin penal për veprën penale “Shkatërrimi nga pakujdesia me zjarr i pyjeve dhe i mjedisit pyjor”, për shtetasin E. T., 34 vjeç, banues në fshatin Bolenë. Ky shtetas dyshohet se më datë 09.08.2025, në afërsi të varrezave të fshatit, ka ndezur zjarr për pastrimin e kullotës që kishte në përdorim dhe si pasojë e përhapjes së flakëve është djegur një sipërfaqe me shkurre, ferra dhe disa pisha.

Tragjas/Procedohet penalisht një 58-vjeçar, i dyshuar për djegien e një sipërfaqeje toke me bimësi.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Orikum referuan materialet në Prokurori dhe nisën procedimin penal për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, për shtetasin G. Gj., 58 vjeç, banues në fshatin Tragjas. Ky shtetas dyshohet se është autori i zjarrvënies së datës 08.08.2025, në fshatin Tragjas, ku u dogj një sipërfaqe me bimësi.

Materialet procedurale për këto raste i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë apelon për të gjithë qytetarët të mos ndezin zjarre për asnjë arsye, përfshirë edhe nga pakujdesia, pasi do të përballen me ligjin.

Ftojmë qytetarët të denoncojnë në numrin 112 çdo rast zjarrvënieje apo paligjshmërie, duke iu garantuar anonimat të plotë dhe reagim të menjëhershëm.