Presidenti i SHBA, Donald Trump dhe Presidenti rus Vladimir Putin kanë rënë dakord të takohen në “ditët në vijim”, tha një ndihmës i Kremlinit.

Kjo vjen pas deklaratës së Trump, i cili u shpreh se kishte një “shans të mirë” që ai mund të takohej personalisht me udhëheqësit rusë dhe ukrainas “shumë shpejt” për të diskutuar përfundimin e luftës në Ukrainë.

Kur u pyet në një konferencë për shtyp në Shtëpinë e Bardhë të mërkurën në mbrëmje nëse Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky dhe Putin kishin rënë dakord për një samit trepalësh, Trump tha se kishte një “perspektivë shumë të mirë”, por nuk dha detaje.

Një afat që Trump i ka vënë Rusisë për të rënë dakord për një armëpushim në Ukrainë ose për t’u përballur me sanksione më të gjera do të skadojë të premten. Komentet e Trump të mërkurën erdhën pas bisedimeve në Moskë midis të dërguarit të tij Steve Witkoff dhe Presidentit rus Vladimir Putin, të cilat presidenti amerikan i përshkroi si “shumë produktive”.

Kremlini lëshoi një deklaratë të paqartë të mërkurën në lidhje me vizitën e Witkoff në Moskë, duke i quajtur diskutimet “konstruktive” dhe duke vënë në dukje se të dyja palët kishin shkëmbyer “sinjale”, shkruan BBC.

Witkoff ka udhëtuar në kryeqytetin rus katër herë këtë vit. Pas çdo udhëtimi, Trump shprehu optimizëm se një armëpushim ishte afër. Megjithatë, muajin e kaluar, ai pranoi për BBC se në të katër rastet, Putin e kishte zhgënjyer.

Por Presidenti amerikan tani po përdor një ton më të kujdesshëm, duke u thënë gazetarëve të mërkurën: “Unë nuk e quaj një përparim… ne kemi punuar për këtë për një kohë të gjatë. Ka mijëra të rinj që po vdesin… Unë jam këtu për ta përfunduar këtë gjë”.

New York Times kishte raportuar më parë se Trump shpresonte të takohej me Putinin personalisht që javën e ardhshme, me një takim të mundshëm trepalësh me Zelenskyn.

Ndërkohë, Zelensky tha se kishte folur me Trump rreth vizitës së Witkoffit, me udhëheqës evropianë që ishin gjithashtu në telefonatë. Zelensky ka paralajmëruar se Rusia do të bënte hapa seriozë drejt paqes vetëm nëse do t’i mbaronin paratë.

Të enjten, udhëheqësi ukrainas tregoi mbështetjen e tij për një takim midis tre udhëheqësve.

“Ne në Ukrainë kemi thënë vazhdimisht se gjetja e zgjidhjeve të vërteta mund të jetë vërtet efektive në nivelin e udhëheqësve”, shkroi ai në X. Ai shtoi se është “e nevojshme të përcaktohet koha dhe gama e çështjeve që duhen trajtuar”.