Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka shkarkuar shefin e njërit prej institucioneve më të rëndësishme ekonomike të Amerikës, disa orë pasi të dhënat e punësimit më të dobëta se sa pritej shkaktuan alarm të mëtejshëm në lidhje me politikën e tij tarifore.
Në rrjetet sociale, Trump pretendoi se Erika McEntarfer, komisionere e Byrosë së Statistikave të Punës (BLS), kishte manipuluar shifrat e vendeve të punës për t’i bërë republikanët dhe vetë Trump të dukeshin keq. Lëvizja e paprecedentë nga Shtëpia e Bardhë shkaktoi akuza se Trump po politizonte të dhënat ekonomike. Demokrati më i lartë i Senatit, Chuck Schumer, tha se presidenti ishte një udhëheqës i keq që qëllon lajmëtarin për statistika të dobëta.
Tregjet e aksioneve në SHBA u tronditën të premten pasi Trump, vazhdoi me planet e tij për të rritur tarifat e importit për mallrat nga vendet e botës. Shifrat u publikuan më pas nga BLS duke treguar se punëdhënësit në SHBA shtuan vetëm 73,000 vende pune në korrik, shumë më poshtë parashikimeve për 109,000 vende të reja pune.
Agjencia gjithashtu rishikoi rritjen e punësimit poshtë në maj dhe qershor, duke raportuar 250,000 vende pune më pak nga sa mendohej më parë. Ky ishte rishikimi më i madh në rënie i shifrave të punësimit – përveç epokës së Covid-it – që nga viti 1979.
Edhe pse ndryshimet e këtij muaji ishin shumë më të mëdha se zakonisht, analistët thanë se përditësimet ishin në përputhje me të dhënat e tjera që tregonin ngadalësim, shkruan BBC.
Presidenti ka hedhur poshtë shqetësimet në lidhje me planet e tij tarifore, të cilat ai thotë se do të nxisin prodhimin në SHBA dhe do të ribalancojnë tregtinë globale. Por të dhënat e kësaj jave dhe një sërë përditësimesh nga kompanitë mbi kostot e tarifave i kanë bërë këto parashikime më të vështira për t’u injoruar.
Lidhur me vendimin për shkarkimin e McEntarfer, ish-Sekretari i Thesarit të SHBA-së Larry Summers tha: “Shkarkimi i kreut të një agjencie kyçe qeveritare sepse nuk ju pëlqejnë shifrat që ata raportojnë, të cilat vijnë nga anketa që përdorin procedura të përcaktuara prej kohësh, është ajo që ndodh në vendet autoritare, jo në ato demokratike.”
Miqtë e BLS, një grup anëtarët e të cilit përfshijnë dy ish-komisionerë të agjencisë, thanë: “Kur udhëheqësit e kombeve të tjera kanë politizuar të dhënat ekonomike, kjo ka shkatërruar besimin e publikut në të gjitha statistikat zyrtare dhe në shkencën qeveritare.”
McEntarfer e quajti kohën e saj si komisionere “nderin e jetës sime”, ndërsa e përshkroi punën e agjencisë si “jetike dhe të rëndësishme”. Trump ka sulmuar figura kyçe ekonomike në të kaluarën, së fundmi Jerome Powell, kryetar i Rezervës Federale të SHBA-së, ndërsa banka qendrore vazhdon të lërë normat e interesit të pandryshuara.
Një anëtare e komitetit të përcaktimit të normës së interesit të Rezervës Federale, Adriana Kugler, po jep dorëheqjen para kohe duke i dhënë Trumpit një mundësi për të emëruar dikë të ri. Mandati i saj duhej të përfundonte në janarin e ardhshëm. Kreu i Departamentit të Punës, i cili mbikëqyr BLS-në, shkroi në mediat sociale se zëvendëskomisioneri i agjencisë, William Wiatrowski, do të merrte përsipër rolin gjatë kërkimit për një zëvendësim.
Disa analistë spekuluan se të dhënat e punësimit mund të pasqyrojnë një goditje për bizneset e vogla, të cilat zakonisht janë më të ngadalta në përgjigjen ndaj anketave dhe janë veçanërisht të ndjeshme ndaj tarifave. McEntarfer punoi për qeverinë për më shumë se 20 vjet përpara se të nominohej nga Biden për të drejtuar BLS në vitin 2023. Ajo u konfirmua më vonë pothuajse unanimisht nga Senati i SHBA-së, përfshirë edhe nga nënkryetari aktual JD Vance, i cili atëherë ishte senator i Ohajos.
Michael Strain, drejtor i studimeve të politikave ekonomike në Institutin Amerikan të Ndërmarrjeve me prirje të djathta, e mbrojti Entarferin, duke thënë se ajo ishte sjellë me “integritet të madh”. Trump e mbrojti vendimin dhe tha se largimi i saj ishte i nevojshëm për të siguruar që të kishte “njerëz të cilëve mund t’u besojmë” në këto poste.
“Pse duhet t’u besojë dikush shifrave?” u tha presidenti gazetarëve kur po largohej nga Shtëpia e Bardhë të premten.
“Unë besoj se numrat ishin të rremë, njësoj siç ishin para zgjedhjeve, dhe kishte edhe raste të tjera – kështu që e dini çfarë bëra? E shkarkova atë, dhe e dini çfarë bëra? Gjëja e duhur.”
Tarifat
Debati për të dhënat vjen ndërsa Trump ripërcakton politikën tregtare, duke goditur mallrat nga vendet anembanë botës me tarifa të reja që variojnë nga 10% deri në 50%. Kur Trump paraqiti plane të ngjashme në prill, aksionet në SHBA ranë më shumë se 10% brenda një jave, ndërsa shqetësimet u përhapën në tregjet e dollarit dhe obligacioneve.
Tregu i aksioneve u rimëkëmb pasi ai pezulloi disa nga masat më drastike, duke lënë në fuqi një taksë prej 10% më pak ndëshkuese dhe më të pritshme. Në javët e fundit, indekset në SHBA janë tregtuar rreth niveleve më të larta historike.
Masat e fundit janë më pak ekstreme se ato që Trump paraqiti për herë të parë në prill, por ato do ta çojnë normën mesatare të tarifave në afërsisht 17%, nga më pak se 2.5% në fillim të vitit.