Kina, e cila nuk e ka dënuar kurrë në mënyrë të qartë pushtimin rus të Ukrainës, i bën thirrje “të gjitha palëve” të përfshira në bisedimet e pritshme në Uashington që të arrijnë një marrëveshje “sa më shpejt të jetë e mundur”.

“Shpresojmë që të gjitha palët dhe aktorët e përfshirë të marrin pjesë në bisedimet e paqes në kohën e duhur dhe të arrijnë sa më parë një marrëveshje paqeje të drejtë, të qëndrueshme, të detyrueshme dhe të pranueshme për të gjitha palët.” tha zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Pekinit, Mao Ning, në ditën e bisedimeve në Shtëpinë e Bardhë mes Donald Trump, presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky dhe liderëve evropianë.

“Qëndrimi i Kinës për krizën ukrainase është i qëndrueshëm dhe i qartë dhe Kina do të vazhdojë të promovojë paqen dhe dialogun në mënyrën e saj, duke nxitur një zgjidhje politike të krizës.” shpjegoi zëdhënësja.