Presidenti amerikan Donald Trump e ka paralajmëruar Vladimir Putinin se do të ketë “pasoja të rënda” nëse ai nuk pranon t’i japë fund luftës së tij ndaj Ukrainës në samitin e tyre në Alaska të premten.
I pyetur nëse Putini do të përballet me pasoja nëse nuk pranon të ndalojë luftimet, Trump u përgjigj: “Po… do të ketë pasoja shumë të rënda”.
Presidenti amerikan zbuloi qëllimin e tij për të kërkuar një takim të dytë të menjëhershëm me Putinin, këtë herë duke përfshirë presidentin e Ukrainës Volodymyr Zelensky, pas bisedimeve të tyre kokë më kokë në Alaska.
“Nëse takimi i parë shkon mirë, do të kemi një të dytë të shpejtë. Do të doja ta bëja pothuajse menjëherë, dhe do të kemi një takim të dytë të shpejtë midis Presidentit Putin dhe Presidentit Zelensky dhe meje, nëse ata do të donin të më kishin atje”, tha Trump.
Duke dëgjuar kërkesat e Evropës dhe Ukrainës që asgjë të mos vendoset pa Kievin, Trump tha se bisedimet e Alaskës vetëm sa do të vendosnin “tavolinën për takimin e dytë”.
Këmbëngulja e Trump për përfshirjen e Ukrainës ka të ngjarë t’i sjellë një lehtësim Kievit dhe aleatëve të tij, të cilët kishin frikë se udhëheqësit amerikanë dhe rusë mund të arrinin një marrëveshje që e copëton Ukrainën dhe i shet interesat e sigurisë evropiane.
Zelensky më herët të mërkurën tha se Trump mbështet ofrimin e garancive të sigurisë për Ukrainën për të siguruar që paqja të jetë e qëndrueshme. Ende nuk është e qartë se cilat do të jenë këto garanci ose kush do t’i ofrojë ato.