Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump njoftoi të hënën se do të marrë kontrollin e policisë së Washington-it dhe do të dërgojë trupa të Gardës Kombëtare në një përpjekje për të ndihmuar në “rivendosjen e ligjit dhe rendit”.
Ai thotë se planifikon ta vendosë Departamentin e Policisë së Washington DC nën “kontroll të drejtpërdrejtë federal” duke përdorur Aktin e Sundimit Vendor të Distriktit të Columbia-s.
Trump sugjeroi se shkalla e vrasjeve në Washington DC është më e lartë se disa “nga vendet më të këqija në Tokë” dhe thotë se numri i vjedhjeve dhe grabitjeve të makinave është rritur gjithashtu.
Lidhur me shkallën e krimit, presidenti flet për një kulm në vitin 2023, por siç raporton BBC-ja, statistikat tregojnë se krimi ka rënë në kryeqytetin amerikan që atëherë.
Ai thotë se Washington DC është “pushtuar nga bandat e dhunshme dhe kriminelët e etur për gjak”, si dhe “maniakët e droguar dhe njerëzit e pastrehë”.
Trump ishte i rrethuar nga zyrtarë të administratës, përfshirë Sekretarin e Mbrojtjes Pete Hegseth, Prokuroren e Përgjithshme Pam Bondi dhe Drejtorin e FBI-së Kash Patel.