Nga Indrit Vokshi

Dimal Basha, kryetari i parlamentit i VV, qenka firmëtar në një shkrim anglisht ku UÇK-ja quhet mafioze, e krijuar me para droge, me banditë e vrasës.

Para 20 vjetësh kam menduar se krejt Kosova ka respekt për UÇK, për luftën, për sakrificën, pasi nuk mund të ishte ndryshe. Njerëz të cilët kanë jetuar në ilegalitet, kanë kaluar kufirin të ngarkuar me armatim si të ishin mushka, kanë krijuar qëndresë të armatosur, janë plagosur në luftë, u janë vrarë familjarë, nuk meritojnë të denigrohen.

Mirëpo në Kosovë paska “dy popuj” dhe ketë e kam kuptuar ditë pas dite. Është populli i cili edhe pse vetë nuk ka luftuar, luftën e çmon. Dhe një popull i vogël i cili luftën çlirimtare e ka alergji, madje kërkon ta relativizojë, përmes denigrimit, akuzave, trillimeve. Kam ndjerë neveri kur në komente facebook e tiktok, komandantët e luftës quhen “tradhëtar”, “argat i Serbisë”. Ata që kanë qenë komodë e rehat nën Jugosllavi, quajnë argatë të Serbisë, ata që kanë luftuar kundër ushtrisë së Serbisë.

Në kuadër të këtij mentaliteti antikombëtar, përdoret strategjia e denigrimit të luftës çlirimtare; me strategji të sofistikuar propagande, na thuhet se lufta ishte e drejtë por titullarët e luftës janë vrasës, trafikantë, rebelë, hajna, tradhëtarë..! Nëse lufta është e drejtë edhe ata që luftuan janë të drejtë. Propaganda na thotë kështu: ushtari i thjeshtë i UÇK është i mirë, komandanti, i keq. Nuk ka se si të jetë ushtari i mirë e i drejtë, ndërsa komandanti i keq dhe i shtrembër. Por kjo është veçse strategjia e denigrimit të luftës.

Sipas këtyre po na del se luftën çlirimtare e kanë organizuar dhe udhëhequr disa trafikantë droge, vrasës, kriminelë e hajna. Është e pamundur që disa kriminelë e trafikantë të udhëheqin një luftë të drejtë. Luftën e drejtë e udhëheqin vetëm ata që kanë sublimim patriotik, kanë nxitje shpirtërore, kanë emocion kombëtar. Ndërsa luftra banale për trafiqe dhe pushtet, bëjnë fjalavjen ato kartelet e Amerikës Latine. Ata luftojnë pa sbulimim patriotik, pa motiv të lartë kombëtar e çlirimtar.

E Kosova është histori shekullore qëndrese dhe përpjekjeje brezash për çlirim, nuk është një kartel droge e pushteti. UÇK-ja ka qenë gati “fetare” në fenë kombëtare, ka pasur si himn këngën patriotike, ka pasur “librin e saj fetar” me këngët epike patriotike, si kënga e Ahmet Delisë i cili plak, shkon e i bie ushtarit pushtues serb me sopatë në ballë dhe, vritet. Në disa beteja të UÇK është kënduar me çifleli kënga patriotike për të frymëzuar ushtarët. Nuk ka banditë e trafikantë me motivim të tillë kaq të thellë spiritual.

Ata ishin “Shqipëria e Vjetër” epike, brum njerëzor i cili pati tepruar e mbijetuar në modernitet prej dekadave të mëhershme, prej luftrave të Shaban Polluzhës e Mehmet Gradicës, prej betejave të Lidhjes dhe prej luftrave ballkanike ku shqiptarët u flijuan dramatikisht e tragjikisht. Nuk lufton trafikanti me aq vetëflijim.

Një popull nuk mposhtet fizikisht, ai mposhtet mendërisht, mposhtet kur ia gërryen motivin patriotik dhe ia shterr thellësinë shpirtërore për qëndresë. Kosova sot ska dyshim se duhet të jetë republikë civile, mirëpo një republikë civile nuk e denigron historinë e saj, ajo bashkëjeton me historinë e saj, respekton historinë e saj.

Historinë frymëzuese të qëndresës kërkojnë tia shkatërrojnë përmes deingrimit me propagandë, armiku historik, Serbia, si dhe organizatat joqeveritare të cilat duke pasur synim të luftojnë disa politikanë të lidhur me luftën, duan t’i hedhin në erë ata politikanë bashkë me historinë e luftës.

Kryetari i Parlamentit të Kosovës duhet të kërkojë falje publike dhe të pranojë se ose ka qenë naiv e i përdorur, ose në atë kohë ka menduar ashtu por sot mendon krejt ndryshe.. duhet të bëjë diçka. Se smund të qëndrojë kryetar i parlamentit dikush i cili ka qëndrimet e prokurorisës së Serbisë për UÇK-në.

(Në foto është Fitush Rrustem Kukaj, 17 vjeçar i cili ra dëshmor në Betejën e Koshares)