Pamjet e vajzave 13- a 14-vjeçare që rrahin bashkëmoshataret e tyre dhe e filmojnë, nuk janë një lojë. Nuk janë as thjesht “kapriçio e moshës”. Janë fotografia më e pastër e kohës sonë. Arena e gladiatoreve sot është online. Nuk konfliktohen më në oborrin e shkollës, por përballë kamerës së telefonit. Dhuna është monedhë.
Në mungesë të mënyrave të tjera për të fituar vlerë, adoleshentet e kthejnë dhunën në valutë sociale. Një goditje nuk është vetëm akt fizik, por një investim për status: sa më shumë të trembësh, aq më shumë “kapital” fiton në sytë e grupit. Videoja është dëshmi.
Në një botë ku gjithçka matet me prova të dukshme, fjala nuk mjafton. Videoja e kthen dhunën në fakt të padiskutueshëm: ja kush është më e forta, ja kush ra poshtë. Ajo mbetet online, shpërndahet, bëhet referencë si një certifikatë pushteti.
Pushteti është i menjëhershëm: kush godet duket, kush filmon kontrollon, kush shpërndan shpërblen. Çdo “like” është një zhurmë e turmës që ngre lart gladiatoren e ditës.
Por pse po ndodh kjo me vajzat? Pse ato që rriten për të qenë të kujdesshme, të buta, të sjellshme, shpërthejnë kaq të ashpra ndaj njëra-tjetrës? Sepse butësia, dikur tipar amësor, sot është reduktuar në tipar seksual. Shihet si shenjë nënshtrimi, një kod që lidhet me të qenët e disponueshme, jo me të qenët e fortë.
Kështu vajzat nuk e përjetojnë butësinë si trashëgimi që vjen nga nëna, por si etiketë që i bën të pambrojtura. Dhe kur ndihen të pambrojtura, zgjedhin të shfaqin të kundërtën: agresionin, egërsinë, dhunën. Sepse është më mirë të trembësh, sesa të dukesh “e butë” dhe e nënshtruar.
Adoleshenca është mosha e revoltës. Dhe kur zemërimi shtypet për vite me radhë, shpërthen në formën më primitive. Dhuna mes vajzave nuk është thjesht konflikt. Është konkurrencë për status, për pamje, për vëmendje. Poshtërimi i një vajze tjetër, i filmuar e i postuar, është mënyra më e shpejtë për të ndërtuar imazhin e një të forte dhe për t’u ngjitur në statusin social virtual. Kamera nuk është rastësi është pjesa kryesore e shfaqjes.
Shpesh kjo dhunë është pasqyrë e asaj që përjetohet në familje ose e mungesës totale të kontrollit prindëror, i cili nuk rregullon asgjë, nuk frenon asgjë. Vajza që nuk ndihet e mbrojtur, e vënë re apo nën vëmendjen e prindërve në shtëpi, zgjedh të bëhet e frikshme jashtë saj. Por kjo nuk lind nga hiçi. Ajo ushqehet nga frakturat e brezave. Nëna që refuzon plakjen dhe futet pa e kuptuar në garë me vajzën e saj. Babai që nuk është më përmbushësi i nevojave financiare, as burri i fortë i modelit të vjetër, por as nuk ka gjetur një rol të ri të qartë.
Nga njëra anë, prindërit luftojnë me ankthin real të mbijetesës: faturat, të ardhurat e pamjaftueshme, mungesën e sigurisë për të ardhmen. Nga ana tjetër, ata e harxhojnë energjinë për të ndërtuar një imazh virtual, për të treguar në rrjet se janë të rinj, të bukur, të lumtur. Ky dyzim krijon një boshllëk të madh te fëmijët: ata nuk marrin as sigurinë e qëndrueshmërisë ekonomike, as autenticitetin e një prindi të pranishëm.
Në të njëjtën kohë, po këta prindër ndodhen midis frikës së realitetit dhe etjes për dukje.
Kjo përplasje është rraskapitëse. Nuk është mungesë dashurie kur një nënë ose një baba humbet busullën – është shenjë e lodhjes së madhe që mbajnë mbi supe. Dhe fëmijët e ndiejnë këtë hutim, edhe kur nuk flitet. Dhe kur shtëpia nuk jep qartësi, fëmijët e shpikin fuqinë në mënyrat më primitive: duke u bërë të fortë në “arenën” e rrjeteve sociale, aty ku shfaqja ka më shumë peshë se çdo e vërtetë.
Në këtë boshllëk, bota online është hajduti i padukshëm i familjes. Vjedh kohën, vëmendjen dhe madje edhe përkufizimin e forcës. Vajzat shpikin një version brutal të fuqisë: dhunë të filmuar për audiencën.
Çfarë mund të bëhet? Nuk ka receta magjike. Por ka gjëra të vogla që mund të bëhen.
Prindi nuk ka pse të jetë i përsosur. Mjafton të mos hyjë në garë me fëmijën. Të ulet, të pyesë, të dëgjojë. Një bisedë e zakonshme i mëson vajzës se nuk ka nevojë të bërtasë për t’u parë. Shkolla nuk duhet të presë shpërthimin e dhunës. Ndjeshmëria mësohet herët: me teatër, me lojëra bashkëpunuese, me hapësira ku fëmijët shohin njëri-tjetrin si njerëz, jo si rivalë. Dhe ne të gjithë duhet të ndalojmë së qeni spektatorë. Çdo klikim mbi një video dhune është karburant për një cikël që nuk ndalet.
Fuqia e vërtetë nuk fitohet duke goditur. As duke u filmuar. Por, duke pasur një zë që dëgjohet edhe pa dhunë. Një identitet që qëndron edhe pa spektakël. Nëse nuk ua japim këtë model, rrjetet sociale do të vazhdojnë të mbeten arena e gladiatoreve: aty ku frika ngatërrohet me respektin, dhe dhuna shpërblehet me duartrokitje virtuale. Por dhuna e vajzave në të vërtetë është një britmë për të ekzistuar. Ato nuk kërkojnë vetëm të duken të forta, por të ndihen të gjalla. Tragjedia është se shpesh mbeten vetëm me dhunën si provë se ekzistojnë.
© Anila Sulstarova. Të gjitha të drejtat janë të autores. Imazhi në kopertinë është realizuar nga Livia H./Peisazhe Fjale