Policia e Durrësit ka arrestuar një 35-vjeçar i cili dyshohet se vidhte kabuj elektrikë të ndriçimit të rrugëve.
Sipas komunikatës zyrtare, shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për zbardhjen e vjedhjeve të ndodhura më parë, identifikimin dhe kapjen e autorëve, si dhe falë bashkëpunimit me qytetarët, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Light”.
Në kuadër të këtij operacioni u bë e mundur kapja dhe arrestimi i shtetasit A. V., 35 vjeç, banues në Durrës.
Nga veprimet hetimore dyshohet se ky shtetas është autor i një sërë vjedhjesh të kabujve elektrikë, të ndodhura në zona të ndryshme të qytetit, në territorin e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës.
Vijojnë veprimet hetimore për dokumentimin e plotë ligjor të këtyre ngjarjeve, si dhe për identifikimin e vjedhjeve të tjera të mundshme të kryera nga ky shtetas.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme procedurale.