Nuk kanë të ndalur protestat në Serbi, megjithë kërcënimet e presidentit Vuçiç për
vendosjen e gjendjes së jashtëzakonshme.

Gjatë orëve të vona të së dielës, protestuesit vijuan që të qëndrojnë para gjykatës në Novi Sad, si dhe para stacioneve të policisë në disa qytete, përfshirë Beogradin, në mbështetje të protestuesve të paraburgosur.

Kjo protestë u mbajt me moton “Mbeturinat po bien – njerëzit sundojnë.”

Opozita e konsideron një precedent historik faktin që Forcat e Armatosura Serbe u përfshinë për herë të parë kundër protestuesve, në mbrojtje të partisë në pushtet.

Sipas tyre, Vuçiç ka dërguar autokolona me makina të blinduara në Beograd.

Ministri serb i Drejtësisë, Nenad Vujiç, tha se protestat në rrugë nuk mund të konsiderohen më dhunë, por forma të terrorizmit.

“Vetëm një reagim i fortë nga prokuroria dhe gjykata mund t’u dërgojë një përgjigje të qartë banditëve dhe terroristëve se shteti nuk do të tërhiqet,” theksoi Vujiç.

Mbledhjet e përditshme të demonstruesve antiqeveritarë janë një reagim ndaj protestave ku mbështetësit e Vuçiçit sulmuan studentët me mjete piroteknike.