Superliga ka nisur me ‘hakmarrje’. Vllaznia që sezonin e kaluar u mposht në finalen e kampionatit nga Egnatia, në ndeshjen e parë të sezonit të ri fitoi 2-0 kundër rrogozhinasve kampionë. Në Loro Boriçi realizuan Gurishta dhe Bajrami, ndërsa në mes golave Bekim Balaj gaboi një penallti.
“Besoj se u bë një ndeshje e bukur edhe për publikun. Fitoi skuadra më e mirë dhe shpresoj të vazhdojmë kështu se jemi të kënaqur,”-u shpreh Vioresin Sinani, drejtor i Vllaznisë.
Te Egnatia gjykimi në Shkodër ka lënë shumë për të dëshiruar edhe pse ishte vetëm ndeshja e parë.
“Mendoj që ishte një ndeshje shumë e bukur në fushë, por kishte një ndikim shumë të çuditshëm të arbitrit që në ndeshjen e parë. Shumë të çuditshëm. Pretendimet janë te kartoni i kuq, te penalltia që dha për Vllazninë,”-tha Edlir Tetova, trajner i Egnatias.
Java e parë e Superligës vijon me dy sfida të shtunën, ndërsa të dielën mbyllet me ndeshjen Partizani-Vora.