Dëshmia e dhënë nga 62-vjeçarja Lorena Venier në lidhje me vrasjen e djalit të saj, Alessandro Venier në Itali, është tronditëse. Ajo pranoi para hetuesëve se i mori jetën të birit, duke bashkëpunuar me partneren e tij nga Kolumbia, Maylin Castro Monsaldo. Sipas Corriere della Sera, Maylin, partnerja e Alessandros dhe nëna e një foshnje të lindur në janar, dyshohet se jetonte nën një regjim dhune dhe kërcënimesh të përditshme në familje. Gruaja, e cila po trajtohej për depresion, iu drejtua nënës së partnerit të saj, Lorena Venier, duke kërkuar ndihmë për ta vrarë.

“Dhuna ishte bërë e padurueshme. Ajo kishte frikë për jetën e saj”, thuhet se i tha Lorena-hetuesit.

Vrasja e 35-vjeçarit ndodhi mbrëmjen e së premtes, më 25 korrik, kur Alessandro u kthye në shtëpi plot zemërim, kryesisht ndaj partneres së tij. Planifikimi i krimit bazohej në faktin se burri kishte njoftuar qëllimin e tij për t’u zhvendosur në Kolumbi dhe, për këtë arsye, mungesa e tij nuk do të ngjallte dyshime të mëdha tek të afërmit e familjes. Kështu, dy gratë nisën që të vepronin.

“Fillimisht e droguam me një ilaç të tretur në limonadë, por ai nuk e humbi vetëdijen. Pastaj i bëra një injeksion insuline për t’u siguruar që nuk do të zgjohej dhe nuk do të ishte në gjendje të reagonte. Kur u siguruam që ishte në gjumë të thellë, u përpoqëm ta mbytnim, por nuk mundëm ta bënim me duar. Pastaj Maylin i mori lidhëset e këpucëve dhe e vrau,”- dëshmoi Lorena.

Gratë më pas përdorën një mjet për përpunimin e drurit për ta prerë në tre pjesë dhe i fshehën copat në një kosh plehrash në garazh. Më pas, e mbushën koshin me gëlqere që kishin blerë disa ditë më parë nga Amazon.

“Maylin ishte në rrezik dhe më kishte thënë se e vetmja mënyrë për ta ndaluar ishte ta vrisnim, nuk mund të prisnim më. Ishim të tmerruara,”- dëshmoi Lorena.

Nëna përsëriti se e dinte “se kishte kryer një akt të tmerrshëm”, por se ndihej e detyruar të mbronte nusen e saj, të cilën e konsideronte si vajzën që nuk e pati kurrë sepse ndjente se jeta e saj ishte në rrezik. Sipas hetimit, Alessandro Venier ishte dënuar më parë për shkaktim të lëndimeve trupore dhe ishte pushuar nga puna për rrahjen e një kolegu. Po ashtu, ishte akuzuar më parë edhe për kultivim droge.