Ylli Manjani thotë se Shqipëria ka nevojë për një qeverisje të djathtë.

Por sipas tij, me këtë opozitë, kjo gjë nuk ka gjasa të ndodhë.

“Problemi është ç’do bëhet, jo kush do e bëjë!

*****

Shumë muaj më parë se të fillonte fushata zgjedhore, fushatë i thënçin, shpreha pikpamjen se Shqipëria ka nevojë për një qeverisje të djathtë.

Kisha e kam parasysh një të djathtë që:

1. Ti lërë më shumë para në xhep njerëzve, veçanërisht sipërmarrëave.

2. Të marrë nën mbrojtje të fortë ligjore e shtetërore çdo mbajtës të një NIPTI.

3. Të shpallë Shqipërinë një zonë të lirë investimi.

4. Të krijojë një ekonomi të matshme strikt mbi baza prodhimi dhe jo thjesht konsumi.

5. Të marrë nën mbrotje të shenjtën pronë private.

6. Të vendosë paprekshmërinë e lirive dhe të drejtave themelore.

7. Të ndërtojë një shtet shërbëtor dhe me pushtete të ndara.

Shkurt na duhet një qeverisje që të bazojë shtetin e fortë mbi shqiptarin e fortë, të pasur, të lirë e me dinjitet.

Për fat të keq e djathta jonë e ka humbur këtë kurs politik dhe ideologjik. Ajo sheh vetëm shqiptarë të ligj, të korruptuar, mafiozë, oligarkë, borgjezë.

Ndërkohë e majta vijon të qeverisë, në habitatin e saj të taksave të larta, të marrjes së parave njerëzve e biznesve, të mbrotjes së publikes mbi çdo pronë private, të sanksioneve të rrepta në vend të masave efektive…

Por ne kemi nevojë për të djathtën, jo detyrimisht për atë që në Shqipëri vetquhet e djathtë.

Nejse, kur mendoj se e vetëquajtura e djathtë ndërpreu fushatën për t’i uruar paradhënie ditëlindjen shefes së kabinetit të Trumpit si qokë për LaCivitën, them se meritojmë këtë qeverisje që kemi.

Por që kemi nevojë për një koncept politik e qeverisës të djathtë, kemi që çke me të. Mbetet që të ndryshojë kurs politik Rama, se s’ka gjë tjetër vërdallë…”, shkruan Manjani.