Deklarata e sotme e Sali Berishës se Gazmend Bardhi është kandidatura më e kompletuar për ta rikonfirmuar si kryetar grupi, nuk ishte një “rrufe në qiell të pastër”.
Edhe pse pak, pas rezultatit poshtrues që mori kreu politik i qarkut të Fierit, ka pasur në opinionin opozitar zëra që e vinin në dukje këtë humbje. Madje siç shikohet aktualisht, duket qartë se përveç zërave ka edhe një situatë brenda degës së PD-së në Fier, ku nuk është i vogël kontestimi ndaj Gaz Bardhit.
Por, menjëherë pas zgjedhjeve është vënë re një blindim i fortë i Bardhit, nga ana e qarqeve pranë Sali Berishës, kryesisht mediave që ai kontrollon ngushtësisht.
Mediat e Berishës, jo vetëm i kanë dhënë hapësirë Bardhit, por edhe kanë sulmuar shënjestra që kreu i qarkut të Fierit ka vendosur të shantazhojë, apo t’i përdorë si alibi për disfatën e thellë.
Ndërkaq, sot, kreu i PD-së i vuri vulën kësaj mbështetje, duke bërë të ditur se në mendjen e tij do të jetë sërish Bardhi për ta vendosur kryetar grupi.
Situata në fakt nuk është kaq e komplikuar, pasi kemi të bëjmë me një post jo shumë të dëshirueshëm nga “konkurentët” e mundshëm, nëse ka të tillë.
Realisht, kryetari i grupit, është thjeshte një zyrtar që do të merret me procedurat parlamentare, ngase shefi i deputetëve është vetë doktori. Të cilit, as mosha, as energjie, por edhe as telashet e tjera nuk e lënë që të ndjekë ecejaket zyrtare që përfshin rregullorja.
Nga ana tjetër, në letra por edhe në terren, Berisha nuk se ka ndonjë emër që mund të quhet fitues nga 11 maji. Asnjë nga krerët e qarqet nuk ka realizuar objektivat politike.
Megjithatë, është fakt se disfata e Bardhit ishte jo vetëm e hidhur, por dhe paksa tragjikomike, sidomos duke ju referuar telenovelës së Zeqinesë, e cila arriti të zgjidhej në Kuvend, pikërisht sepse kaloi kufirin e kuq të Gaz Bardhit.
Disfatë që është komentuar jo pak nga qarqe të PD-së në zonën e jugut të vendit, por edhe në qendër. Komente që janë bërë si hapur, si edhe në mjediset e brendshem të strukturave të PD-së.
Reagimi i Berishës shpejt, duket se është një qëndrim politik i qartë se ai nuk lejon rebelime, ndaj ka marrë menjëherë anën e Bardhit, duke paralajmëruar të tjerët se nuk ka gili vili.
Nga ana tjetër, Gaz Bardhi, më shumë i leverdis Berishës, sidomos tani që politikisht është më i dobët e nuk mund të bëjë kaposhin aq kollaj. Gjithashtu, shërbimi që i ka bërë Sali Berishës, gjatë kohës kur ishte sekretar i përgjithshëm i Lulzim Bashës, ka qenë realisht mjaft i vlefshëm.
Kjo pasi ndalja e mundësisë së kandidimit të PD-së së Bashës kur kishte vulën e PD-së, që të kandidonte për kryetarë bashkie, bëri që inercia e votave të opozitës të shkojë drejt Berishës, qoftë edhe duke mbyllur hundën.
Me marrjen e vulës pastaj, gjërat u bënë më të thjeshte për të neutralizuar territorin nga partitë dhe faktorët e tjerë opozitar. Edhe pse në realitet PD ka pësuar një disfatë të rëndë politike më 11 maj, për Sali Berishën, numri i përgjithshëm i 500 mijë votave, konsiderohet një objektiv mjaft i rëndësishëm.
Pasi këto vota, ai i konsideron një aksion të tijin dhe asset politik i lidershipit në krye të opozitës shqiptaret. Në realitet kjo nuk qëndron, por sidomos kur nuk ka një debat real për këtë çështje, është më e lehtë për ta trajtuar si gjë të mbyllur.
Një zgjidhje e mirë dhe deri diku konsensuale do të ishte vendosja e Jorida Tabakut në krye të grupit parlamentar. Gjë që sipas gjasave do të pritej më mirë edhe në publik, jo vetëm nga militanca fanatike.
Por Berisha u kujdes që kjo të mos ndodhte që në fillim, duke nxitur personazhet që ta sulmonin qoftë edhe pa arsye. Ku ra në sy Adriana Kalaja, e cila në PD ka pasur përgjithësisht një funksion të tillë.
Marrëdhënia e ngushtë dhe e fshehtë e Sali Berishës me Gaz Bardhin fill pas 8 janarit 2022 deri në zgjedhjet e 23 majit 2023, rezultoi mëse efikase. Nëse nuk do të ishte ky relacion sekret, jo vetëm që vula nuk do të ishte në duart e doktorit, por sipas gjasave faktoët brenda opozitës nuk do të kishin këtë konfigurim. Kjo marrëdhënie ka qenë lineare dhe ka funksionuar edhe në lidhje me listën e deputetëve, ku siç duket mendimi i Bardhit ka qenë i rëndësishëm për largimin e disa emrave. Si për shembull Dash Sula, apo edhe të tjerë. Kjo shikohet qartë se kush ka pakënaqësi dhe replika me të.
Shto këtu se Bardhi është edhe shalqi me provë, pasi ja ka marrë dorën organizimit të kaosit në seanca, nëse Berisha do të ketë probleme me ligjin dhe me SPAK. Megjithatë, më shumë si një emërim i ri në postin e kreut të grupit, duket si një komandim i përkohshëm, pasi tektonika për Berishën është e lëvizshme. Ndaj nuk i intereson një përzirje ujrash, deri të paktën në fillim të vitit të ardhshëm, kur dhe nis sesioni i ri./Tema