Zelensky u tha mediave se do të donte të shihte sanksione të mëtejshme ndaj Rusisë nëse Kremlini nuk pranon një armëpushim.

Në një deklaratë të përbashkët me kancelarin gjerman Merz pas përfundimit të takimit mes Trump dhe udhëheqësve evropianë, ai thotë se “Putini po bën bllof, po përpiqet të pushtojë të gjithë vijën e frontit”, dhe shton se Rusia po pretendon se mund të pushtojë të gjithë Ukrainën, shkruan BBC.

Ai e shfrytëzoi takimin e sotëm për t’i thënë Trumpit dhe udhëheqësve evropianë se Putini nuk “dëshiron paqe”, dhe Zelensky thotë se ata e kuptojnë qëndrimin e tij.

“Putini nuk mund të na mashtrojë”, shton ai. Presidenti ukrainas thotë se Trump ka thënë se do të kontaktojë Zelenskyn pas takimit të tij me Putinin të premten.

Zelensky u pyet nga mediat se në çfarë kushtesh do të ishte në gjendje të fliste për shkëmbim territoresh me Putinin.

Ai tha se suksesi varet nga rezultati i negociatave, ndërsa shtoi se është shumë pozitiv pas telefonatës së sotme, duke shtuar se partnerët e Ukrainës demonstruan “një zë drejt një misioni të vetëm”.