Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, deklaroi të hënën se forcat ukrainase në vijën e parë të frontit në verilindje të rajonit të Kharkivit po luftojnë edhe kundër mercenarëve të huaj nga disa shtete.

Gjatë një vizite në zonën e luftimeve, Zelensky u takua me ushtarët që mbrojnë drejtimin e qytetit Vovchansk, ndër të cilët edhe luftëtarët e Batalionit të 17-të të Motorizuar të Këmbësorisë, pjesë e Brigadës së 57-të, që mban emrin e komandantit historik ukrainas, Kost Hordiienko.

“Bisedova me komandantët për situatën në vijën e parë, mbrojtjen e Vovchansk dhe ecurinë e luftimeve. Diskutuam gjithashtu për furnizimet, dronët, rekrutimet dhe financimin e drejtpërdrejtë të brigadave,” shkroi Zelensky në rrjetin social X.

Presidenti ukrainas theksoi se nga ky front është raportuar përfshirja e mercenarëve nga vende si Kina, Taxhikistani, Uzbekistani, Pakistani dhe shtete afrikane.

“Luftëtarët tanë në këtë drejtim kanë raportuar pjesëmarrjen e mercenarëve të huaj. Do të reagojmë siç duhet,” paralajmëroi ai.

Në fund të vizitës, Zelensky nderoi me medalje ushtarët që po mbrojnë qytetin strategjik Vovchansk, duke u shprehur:

“Është nder për mua që ndodhem këtu. Ju falënderoj për luftën tuaj, për shërbimin ndaj shtetit dhe popullit ukrainas dhe për mbështetjen që i jepni njëri-tjetrit.”