Nga Naim Meta

Zjarrvënësi i demokracisë në Shqipëri ka një emër të vetëm, Sali Berisha, quhet. Sepse demokracinë e mban gjallë ligji dhe barazia para tij, të djathtët, demokratët e vërtetë dhe cdo njeri i lirë që lufton për të drejtën, këta faktorë kanë dhe po qëndrojnë në heshtje dhe mosangazhim, kanë treguar qartë distancimin nga ky njeri që kurrë nuk u bë i lirë nga e kaluara e errët, por mbeti një komunist i pandreqshëm.

Berisha nuk është i vetëm, përreth tij janë grumbulluar edhe zjarrfryrësit e përhershëm, ata që nuk janë as me këtë e as me atë, që qëndrojnë pezull si hija, me lugën në brez, duke pritur të ushqehen nga çdo pushtet. Këta janë fatkeqësia e kësaj Shqipërie të lodhur, sepse mendojnë se e ardhmja mund të ngjajë me të shkuarën, dhe se bashkimet e pamoralshme do t’u japin sërish një copë vend në tryezën e pushtetit. Por kush është malinj, i tillë mbetet deri në vdekje.

E vërteta është e thjeshtë: lumi gjithmonë i nxjerr mbeturinat në breg. Dhe ju, bashkëpunëtorë të këtij pushteti, ju që keni qenë pjesë e një bashkëqeverisjeje të pandërprerë që prej viteve 90, nuk do t’i keni më kurrë njerëzit parimorë pranë. Ata njerëz që nuk ju kërkuan asgjë për vete, por vetëm që të bëheshin realitet ëndrrat e gjithë shqiptarëve: pronat t’u ktheheshin të zotëve, të ngrihej një shtet i fortë, të mbizotëronte meritokracia dhe të kishte siguri për qytetarin.

Ju bëtë të kundërtën. Ju e kishit përgatitur atë që sollët, shkatërrimin e besimit, zhbërjen e së djathtës, rrëmbimin e çdo shprese. Prandaj, shokë katovicare, shporruni! Lëreni këtë vatan të shenjtë, këtë atdhe që nuk ju takon ta thithni më si shushunja. Shporruni dhe lini të qetë këtë vend që meriton më shumë se plaçkitjen tuaj.

E sot, thirrja ime shkon për demokratët e ndershëm, për njerëzit e lirë dhe për të gjithë ata shqiptarë të zhgënjyer nga kjo klasë politike që ka 35 vjet që i shërben vetëm klanit oligarkik, mos u dorëzoni. Demokracia ka nevojë për ju, Shqipëria ka nevojë për ju. Është koha të ndahemi përfundimisht nga shushunjat dhe zjarrvënësit e së djeshmes dhe të ndërtojmë një të ardhme ku dinjiteti, drejtësia dhe liria të mos jenë më fjalë të zbrazëta, por frymë e përditshme e këtij vendi./TEMA