Nga Toni Gogu/

Shqipëria po digjet

Nga jugu në veri, flakët kanë përpirë pyje, fusha dhe pasuri natyrore.

Në Delvinë, Gramsh dhe, po e them me dhimbje, edhe në Pezën time – në Bulticë, Damjan-Fortuzaj e deri te Muçallja – kam qenë aty, kam parë me sytë e mi zjarrfikës, forca të emergjencave civile dhe banorë të zakonshëm që punojnë krah për krah, ditë e natë, për të shpëtuar çdo jetë, çdo shtëpi, çdo pëllëmbë toke.

Nga tymi i flakëve, te tymi i politikës

Ndërsa ata luftojnë me zjarrin e vërtetë, këtu në politikë ka nga ata që përpiqen të ndezin një zjarr tjetër – zjarrin e shpifjes dhe tymnajës.

Sali Berisha, në vend që të japë ndihmë, bashkëpunim apo të paktën heshtje dinjitoze, ka zgjedhur të shpikë “ahenge nëpër bashki”, aritmetika imagjinare për avionë, satelitë e gara sportive.

Është e njëjta politikë e vjetër: kur vendi ka nevojë për zgjidhje, ai ofron vetëm tym fjalësh.

Zjarrvënësit dhe ndëshkimi

Po e them troç: zjarrvënësit në pyll, ata që ndezin flakët me shkrepsen e tyre, janë kriminelë dhe duhet të marrin ndëshkimin më të rreptë që lejon ligji.

Por ka edhe zjarrvënës politikë – ata që përpiqen të ringjallin opozitën e fikur me shpifje e thashetheme.

Edhe ata djegin, edhe ata shkatërrojnë. Me po këtë mendësi të mbrapshtë e cinizëm gjithashtu po nxijnë edhe kundër turizmit. Ngazëllehen sa herë shohin ndonjë plazh me pak pushues dhe në çdo rast që ndodhin incidente.

Përgjegjësia për të bërë më mirë

Në përgjigjen tonë ndaj zjarreve – nga pajisjet tek parandalimi dhe koordinimi kemi ende shumë për të korrigjuar dhe për të konsoliduar më tej strukturat tona të Emergjencave Civile. Ne kemi detyrimin të mësojmë nga çdo krizë për të qenë më të shpejtë, më të fortë dhe më të përgatitur.

Por reflektimi i sinqertë nuk bëhet duke baltosur ata që sot rrezikojnë jetën në vijën e parë.

Solidariteti që na mban

Ne shqiptarët e kemi provuar se në ditët më të vështira dimë të bëhemi bashkë.

E bëmë në tërmetin e 2019-s, kur shtëpitë ishin në rrënoja dhe zemrat ishin të thyera, por solidariteti ishte më i fortë se çdo ndarje politike.

Sot duhet të jetë po njësoj: qeveri, opozitë, institucione, qytetarë – të gjithë kundër flakëve, jo kundër njëri-tjetrit.

Shqipëria nuk ka kohë për tym politik.

Shqipëria ka nevojë për punë, për solidaritet, për njerëz që japin dorën – jo që shtyjnë flakët më tej me fjalë të kota.