Zyra e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, ka reaguar pas sulmit në Spitalin “Nasser” në Gaza, ku humbën jetën disa gazetarë dhe civilë.
Në një deklaratë të shpërndarë në platformën X, thuhet se “Izraeli shpreh keqardhje të thellë për aksidentin tragjik që ndodhi sot në Spitalin Nasser në Gaza”.
Deklarata nënvizon gjithashtu se “Izraeli vlerëson punën e gazetarëve, stafit mjekësor dhe të gjithë civilëve”.
Sipas autoriteteve izraelite, aktualisht po kryhet një “hetim i plotë” për rrethanat e ngjarjes.
“Lufta jonë është me terroristët e Hamasit. Synimet tona të drejta janë mposhtja e Hamasit dhe sjellja e pengjeve tona në shtëpi”, thekson në përfundim zyra e kryeministrit Netanyahu.
Numri i gazetarëve të vrarë në një sulm izraelit në Gaza ka shkuar në pesë, teksa mediat ndërkombëtare kanë kërkuar shpjegime të menjëhershme për rastin, i cili po ngjall shumë dyshime mbi goditjet izraelite në javët e fundit në Rrip.
Shoqata e Shtypit të Huaj ka bërë thirrje për një “shpjegim të menjëhershëm” nga Ushtria izraelite dhe zyra e Kryeministrit pas vdekjes së “një grupi gazetarësh nga disa media të mëdha ndërkombëtare lajmesh”.
“Ky është ndër sulmet më vdekjeprurëse izraelite ndaj gazetarëve që punojnë për median ndërkombëtare që nga fillimi i luftës në Gaza”, thotë organizata në një deklaratë.
Ajo thotë se sulmi në Spitalin Nasser në Khan Younis “erdhi pa paralajmërim” dhe goditi një shkallë të jashtme të spitalit “ku gazetarët shpesh stacionoheshin me kamerat e tyre”.
Shoqata – e cila mbështet gazetarët në të gjithë botën – thotë se “ne i bëjmë thirrje Izraelit një herë e përgjithmonë të ndalojë praktikën e tij të neveritshme të shënjestrimit të gazetarëve”.
Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) thanë se “nuk shënjestrojnë gazetarët” në një përgjigje ndaj sulmit të sotëm në mëngjes.
Mes viktimave ishte Mariam Dagga, 33 vjeç, gazetare e pavarur që ka bashkëpunuar me Associated Press që prej fillimit të luftës, si dhe me media të tjera ndërkombëtare. Dagga ishte veçanërisht e njohur për raportimet e saj mbi situatën e rëndë humanitare, duke përshkruar përpjekjet e mjekëve të spitalit Nasser për të shpëtuar fëmijë pa probleme të mëparshme shëndetësore, të cilët po vdisnin nga uria.
Al Jazeera konfirmoi vdekjen e gazetarit të saj Mohammed Salam, ndërsa Reuters raportoi se kameramani i saj i kontraktuar, Hussam al-Masri, u vra në të njëjtin sulm. Po ashtu, fotografi Hatem Khaled, gjithashtu i kontraktuar nga Reuters, mbeti i plagosur.
Sipas Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve (CPJ), lufta Izrael-Hamas është bërë një nga konfliktet më të përgjakshme për punonjësit e medias. Vetëm në 22 muajt e fundit janë vrarë 192 gazetarë në Gaza, ndërsa në luftën Rusi-Ukrainë deri tani janë vrarë 18 gazetarë.