Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja, në tryezën e dytë që po mbahet për prezantimin e draftit të Kodit të ri Penal, është shprehur se janë parashikuar 25 tryeza konsultimi publik që pritet të nisen në mes të muajit shtator.

Ai ka siguruar që Kodi i ri Penal nuk do të miratohet në rast se nuk merr dritën jeshile nga Brukseli, duke qenë se synimi i vendit tonë është që brenda 2030 të jetë anëtarësuar në BE.

“Në mes të shtatorit drafti do t’i nënshtrohet konsultimit publik, ku është menduar të jenë 25 tryeza. Dua të konfirmoj qëndrimin tim si ministër, D dhe qeverisë, Shqipëria do të ketë një Kod të ri vetëm pas një procesi të gjera konsultime të brendshme dhe vetëm pasi të marrë vulën në Bruksel sepse e ka të artë anëtarësimin në BE brenda 2030. Ky kod do të jetë ekuivalent me ata të BE”, tha ai.

Manja ka shtuar se nga tetori pritet që në Kodin aktual Penal të pasqyrohen disa direktiva.

“Shqipërisë i kërkohet që brenda tetorit të pasqyrohen 6 direktiva që kanë të bëjnë me pastrim parash, financim terrorizmi, rishikim i kuadrit ligjor për terrorizmin e trafikun e drogërave, trafikut njerëzor, abuzimin seksual dhe abuzimin seksual të fëmijëve, armët dhe shpifjet”, tha ai.