Me rastin e 26-vjetorit të krijimit të Policisë së Kosovës, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, me ftesë të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Republikës së Kosovës, kolonel Gazmend Hoxha, zhvilloi një vizitë në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Kosovës.
Drejtori Proda ishte i shoqëruar nga Drejtori i Departamentit të Policisë Kriminale, Drejtues i Lartë Neritan Nallbati, dhe nga ekipi i volejbollit i Policisë së Shtetit.
Drejtori i Përgjithshëm Ilir Proda u prit nga homologu i tij, kolonel Gazmend Hoxha, të cilin e falënderoi për ftesën dhe për mundësinë që Policia e Shtetit të ishte pjesë e festimeve.
Proda:
“Jam i nderuar dhe krenar që kam privilegjin që në emër të Policisë së Shtetit shqiptar të uroj Policinë e Kosovës për 26-vjetorin e krijimit të saj. Ata burra e gra që dje luftonin për lirinë, sot luftojnë e punojnë për sigurinë e shtetit dhe qytetarëve tanë. Jam këtu për të uruar vëllezërit dhe motrat tona, për punën, sakrificën dhe rezultatet e arritura për më shumë se dy dekada e gjysmë.
Me rastin e 26-vjetorit të krijimit të Policisë së Kosovës, ju përcjell urimet e mia më të sinqerta juve personalisht dhe gjithë efektivëve të këtij institucioni të nderuar. Policia e Kosovës ka dëshmuar profesionalizëm dhe përkushtim në shërbim të qytetarëve, ndërsa partneriteti ynë mbetet një garanci e fortë për sigurinë e përbashkët.
Ju uroj të mbani me nder flamurin e shtetit tuaj dhe atë kombëtar, dhe të përmbushni sa më mirë misionin tonë, sa të vështirë aq edhe fisnik: të mbrojmë jetën me jetë. Dëshiroj më të mirën për të gjithë burrat, gratë, djemtë dhe vajzat e Kosovës dhe, në frymën e vëllazërisë, të forcojmë bashkëpunimin për të goditur krimin e organizuar dhe trafiqet.”
Kolonel Gazmend Hoxha falënderoi Drejtor Prodën dhe delegacionin që e shoqëronte për praninë në aktivitetet me rastin e 26-vjetorit të krijimit të Policisë së Kosovës dhe e siguroi se ky bashkëpunim i shkëlqyer mes dy policive do të thellohet akoma më shumë, për të mirën e qytetarëve të dy vendeve tona.
Më pas, ekipi i volejbollit i Policisë së Shtetit zhvilloi një ndeshje me ekipin e volejbollit të Policisë së Kosovës, ndeshje në të cilën morën pjesë edhe dy drejtorët Proda dhe Hoxha.
Në përfundim të ndeshjes, dy drejtorët shkëmbyen fanellat dhe theksuan se ky aktivitet ishte një tjetër tregues i forcimit të bashkëpunimit dhe frymës së miqësisë mes dy policive.
#Gëzuar26vjetorinEKrijimitPolicisëSëKosovës