Sali Berisha do të paraqitet sot në orën 10:00 në SPAK, në zbatim të masës “Detyrim paraqitje” të vendosur nga gjykata lidhur me aferën “Partizani”.
Berisha akuzohet se, gjatë kohës kur mbante postin e kryeministrit, ka ndërmarrë veprime konkrete për miratimin e ligjeve dhe akteve nënligjore, nga të cilat ka përfituar dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi, në ndërtimin e pallateve mbi truallin e ish-kompleksit sportiv “Partizani”.
Dosja për aferën kaloi për gjykim më 19 maj, në të cilën Berisha gjykohet për akuzën e korrupsionit pasiv të zyrtarëve të lartë. Edhe Malltezi është nën akuzë për korrupsion por edhe për pastrim parash.
Sipas SPAK, ai ka përfituar të ardhura në vlerën e 5.4 milionë eurove nga një biznes ndërtimi në mënyrë të parregullt falë vendimeve të qeverisë të marra nga vjehrri i tij.