Claudia Cardinale ndoshta nuk e arriti kurrë statusin e “divës” së kombit si bashkëkombëset e saj Sophia Loren apo Gina Lollobrigida, që për shumë shikues të kinemasë ajo ishte të paktën e barabartë me ta në mishërimin e një sensualiteti mesdhetar magjepsës në vitet 1960.

“Pas spagetit, Claudia është shpikja më e lumtur e Italisë”, është shprehur aktori David Niven me humorin e tij karakteristik.
E lindur në Tunis në vitin 1938, në një komunitet të madh italianësh, Claudia ishte vajza e madhe e një familjeje me katër fëmijë. Me emrin e saj të pagëzimit Claude Joséphine Rose, ajo rritej duke folur frëngjisht dhe arabisht, përpara se të mësonte dialektin siciliançen në kuzhinën e gjyshërve.

Fillimisht ëndërronte të bëhej mësuese, por bukuria e saj e rrallë e hodhi në qendër të vëmendjes kur, rastësisht, u shpall “vajza më e bukur italiane në Tunizi”, një konkurs që i dha biletën për në Festivalin e Filmit në Venecia. Me një foto me bikini që bëri bujë në Lido, Claudia i mahniti të gjithë, edhe pse akoma nuk fliste italishten standarde.
Në fillimet e karrierës së saj, ajo u dallua në komeditë italiane, përkrah Marcello Mastroianni-t, Alain Delon-it dhe Totò-s. Por ajo shpejt provoi se ishte shumë më tepër sesa një fytyrë e bukur. Performanca në La ragazza con la valigia dhe më vonë në Il giorno della civetta e shpërthyen imazhin e saj si thjesht “seks-simbol”.
Viti 1963 ishte kthesa e saj e madhe ku njëkohësisht luajti në tre prej filmave më të rëndësishëm të dekadës, The Pink Panther, The Leopard të Luchino Visconti-t dhe 8½ të Federico Fellini-t.
Gjithashtu Cardinale shkëlqeu edhe në Amerikë, por e kuptoi shpejt se nuk ishte vendi i saj. Sistemi i yjeve në Hollywood nuk i përshtatej shpirtit të saj të lirë. “Kinemaja është si burrat sa më pak t’i duash, aq më shumë të ndjekin”, ishte shprehur aktorja.
Përjashtim bënte filmi Once Upon a Time in the West i Sergio Leone-s, ku ajo realizoi një nga rolet më të paharrueshme të kinemasë botërore si Jill McBain, një grua me të kaluar të errët që bëhet simbol i mbijetesës dhe rinisjes.
Në vitet e mëvonshme ajo u përkushtua teatrit dhe mbrojti me pasion të drejtat e grave si Ambasadore e UNESCO-s. Në filmat e fundit ajo portretizoi figura të thella, si një nënë tuniziane në filmin The String dhe një grua misterioze në Signora Enrica.
Claudia Cardinale është shumë më tepër se një ikonë e bukurisë. Ajo është një simbol i guximit, i rezistencës ndaj sistemit, i një jete të jetuar sipas rregullave të veta.