Studiuesi Auron Tare ka ngritur alarmin për rrezikun që i kanoset Rrugës historike Egnatia nga Bashkia e Peqnit, e cila çuditërisht krenohet me faktin që po rrethon dhe “kërcënon” me asfalt segmentin që u përdor nga perandorët e sulltanët ndër shekuj në nismat e tyre që shkruan historinë.

Kryebashkiaku i Peqinit, Bukurosh Maçi, çmendurisht beson se asfaltimi i 2 anëve të rrugës historike është restaurim dhe në të mirë të ekzistencës së mëtejshme të “Via Egnatia”.

“Loti i parë i restaurimit në Via Egnatia është drejt përfundimit! Po ruhet autenticiteti i strukturës origjinale, duke i dhënë jetë gurëve që mbajnë mbi supe histori të pafundme. Kjo rrugë nuk është thjesht infrastrukturë, por një xhevahir i trashëgimisë kulturore të Peqinit dhe Shqipërisë”,- shkruan Maçi në rrjetet sociale, duke ndarë foto nga masakra në dëm të Trashëgimisë Kulturore në Shqipëri.

Studiuesi Tare i bën thirrje kryeministrit Edi Rama të ndërhyjë për të ndaluar këtë marrëzi të Bashkisë Peqin, që të shpëtohet pa qenë vonë pjesa e Rrugës Egnatia që shtrihet në Shqipëri, një ndër 10 rrugët më të rëndësishme te civilizimit europian.

“Z. Kryeminister

Vini dorë ju lutem vini dorë për të ndërhyrë dhe për të ndaluar këtë masakër në dëm të Trashëgimisë Kulturore në Shqipëri.

Përpos fakti që po bëhemin qesharakë në sytë të botës, po shkatërrojmë edhe atë pasuri që kemi trashëguar ndër shekuj.

Trashëgimia jonë Kombëtare nuk mund të trajtohet në këtë mënyrë megjithë dëshirën e mirë që mund të jetë arsyeja e këtyre nderhyrjeve kaq qesharake dhe absurde.

Rrënimi i institucioneve kombëtare të Trashëgimisë dhe futja e OJF, firmave dhe Institucioneve që nuk kanë kapacitete po sjell dëme të pa kthyeshme në Trashëgimi.

Via Egnatia një ndër 10 rrugët më të rëndësishme te civilizimit europian. Rruga ku shkelen legjionet romake gjatë Luftës Civile te Cezarit dhe Pompeut. Rruga ku shkelen Perandorët e cdo epoke Imperiale nga Roma drejt Konstandinopojes. Nga ku etërit e Kishës sollën mesazhet biblike prej Jeruzalemit. Nga ku kultura e Orientit mbriti në Europë. Rruga nga ku barbarët rrënuan civilizime por pa e shkatërruar atë. Rruga e Kryqëzatave që vërshuan drejt Lindjes. Udha prej ku Sulltanët hijerëndë Otomanë vërshuan drejt Europës së Krishterë. Via Egnatia trashëgimia europiane që fati e bëri të kalonte mes nesh nuk mund të përfundojë e mbytur me asfaltin e injorancës”,- thuhet në apelin e studiuesit drejtuar kryeministrit.

Më tej, Tare përpiqet të edukojë Bashkinë Peqin, duke sjellë shembullin e vendeve ku kalon Rruga Egnatia dhe se si është ruajtur me fanatizëm nga këto vende.

“Shikoni se si fqinjët tanë janë kujdesur për këtë copë të trashëgimisë Europiane. Maqedonia, Greqia e ruajnë me fanatizëm.

Shikoni si Italia e restauron dhe e mbron Via Apian simotrën e Egnatias që vinte nga Roma drejt Brundisiumit për tu lidhur me Egnatian.

Via Egnatia është Udha jonë për në Europë. Ju lutem vini dorë përpara se Europa të na shikojë me perbuzje për këto që po bëjmë ndaj Trashëgimisë së saj”,- përfundon Tare.