E Ngarkuara me Punë Nancy VanHorn ishte sot në konferencën rajonale të OSBE-së, ku mes të tjerash foli edhe për vizitën e kreut të SPAK Altin Dumani në SHBA.

“Kryeprokurori i Posaçëm Dumani ishte së fundmi në Uashington për të diskutuar me udhëheqjen tonë se si e luftojmë së bashku krimin këtu dhe në Shtetet e Bashkuara. Megjithatë, partneriteti i ligjzbatimit midis Departamentit tonë të Drejtësisë dhe SPAK-ut nuk u ndërtua brenda natës. Së bashku, duhet të mbrojmë atë që kemi ndërtuar”, deklaroi ajo.
Më tej VanHorn deklaroi se SPAK-u është aq efektiv sa pavarësia e tij për të ndjekur kriminelët, pavarësisht se me kë janë të lidhur, ndërsa shtoi se zoti Dumani, sado efektiv ka qenë, do të zëvendësohet pasi i mbaron detyra.

“Edhe SPAK-u i nënshtrohet ligjeve të Shqipërisë. Bazuar në ligj, Z. Dumani, sado efektiv që ka qenë, do të zëvendësohet, sepse mandati i tij ka përfunduar. Procesi i përzgjedhjes së pasardhësit të Z. Dumani duhet të jetë i paanshëm, transparent dhe i lirë nga ndikimet e jashtme.
Ata që dëshirojnë ta shohin Shqipërinë të vazhdojë luftën kundër krimit dhe korrupsionit, përfshirë partnerët ndërkombëtarë, janë shumë të interesuar për këtë proces dhe do ta ndjekin nga afër”, pohoi ajo.

Ndërkohë theksoi se Shtetet e Bashkuara presin integritet në përzgjedhjen e Kryeprokurorit të ri të Posaçëm, “ashtu siç presim për përzgjedhjen e Drejtorit të ardhshëm të BKH-së”.