Kryeministri Edi Rama është takuar sot me Admiralin Stuart Munsch, Komandantin e Forcave Detare të SHBA për Europën dhe Afrikën, si dhe të Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate në Napoli.
Lajmi është bërë i ditur nga Ambasada Amerikane në Tiranë, e cila njofton se në qendër të diskutimeve ishte partneriteti në fushën e sigurisë mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, si dhe angazhimi i përbashkët në kuadër të Aleancës së NATO-s.
“Admirali Munsch e falënderoi Shqipërinë për angazhimin e vazhdueshëm në forcimin e aftësive logjistike të NATO-s përmes investimeve kombëtare në porte dhe infrastrukturë portuale, siç është Porto Romano”, thuhet në njoftimin e ambasadës.