Takimi i diktatorëve, krerëve të shteteve të Kinës, Rusisë, Koresë së Veriut, Iranit, u mblodhën në tribunën e Portës Tiananmen, që sheh sheshin qendror të Pekinit, aty ku, në vitin 1989, trupat kineze masakruan mijëra protestues paqësorë.

Ndoshta është e përshtatshme që pikërisht këtu mblidhet “boshti i së keqes” për të ndjekur një paradë të madhe ushtarake, me kërkesën e Xi Jinpingut, njeriut më të fuqishëm prej tyre.

Ai udhëheq një komb të gjerë që mburret me ushtrinë dhe popullsinë më të madhe në botë, dhe është rrugës për të kaluar SHBA-në si ekonomia më e madhe.

Mesazhi i tij është i qartë: kanë mbaruar ditët e një rendi botëror të udhëhequr nga SHBA-ja dhe të bazuar në rregulla, ashtu siç u vendos pas Luftës së Dytë Botërore.

Tani, Kina e sheh veten si udhëheqëse të një rendi shumëpolar, një qeverisje të re globale që merr përparësi ndërsa Perëndimi vazhdon rënien e tij, ndoshta e përshpejtuar nga politika e jashtme e paparashikueshme e Donald Trump-it.

Xi ka besuar prej kohësh se kjo është koha e Kinës për të shkëlqyer, gjë që shihet edhe në pamjen e tij përkrah “miqve të vjetër” Putin dhe Kim, e më pas duke parakaluar i vetëm në Bulevardin Chang’an të Pekinit, në një limuzinë elegante Hongqi (“flamuri i kuq”), me katër mikrofona përpara tij për të “inspektuar trupat”.

Kina moderne duhet parë përmes “shekullit të poshtërimit”, një periudhë që Xi, ndër të tjerë, e kujton si momentin kur perandoria e madhe kineze u rrëzua në gjunjë nga fuqitë perëndimore, përfshirë perandorinë britanike.

Kjo është arsyeja pse Xi organizon një spektakël të tillë, për ta paraqitur Partinë Komuniste në pushtet si shpëtimtarin e kombit kundër agresorëve të huaj. Në Kinë, sot nuk shënohet fundi i Luftës së Dytë Botërore, por fundi i “Luftës së rezistencës kundër agresionit japonez”.

Është një tjetër mundësi për Kinën të marrë gjithë lavdinë dhe të rishkruajë historinë duke zbehur rolin e SHBA-së në sjelljen e paqes.

Parada është gjithashtu një mënyrë e lehtë për Xi-në të largojë vëmendjen nga problemet e brendshme, si papunësia e lartë e të rinjve dhe rritja e dobët pas pandemisë. Është një paradë që të hedh hi syve.

Gjithçka është e koreografuar me kujdes: “spektatorët” përzgjidhen dhe kontrollohen, rrugët bllokohen, ndërtesat përreth evakuohen, çdo kundërshtar politik potencial arrestohet e ndalohet, kontrollet e sigurisë shtohen.

Nuk është paradë që njerëzit e zakonshëm mund ta shohin nga afër; shumica mund ta ndjekin vetëm në televizionin shtetëror, me imazhe dhe pamje që vijnë drejtpërdrejt nga makina propagandistike e Pekinit. E gjitha për të siguruar që nuk do të ketë turp publik, ndërsa Pekini nxjerr përpara trupat që ecin me hap të ngurtë, avionët luftarakë të shndritshëm dhe raketat gjigante.

Pavarësisht shfaqjes mbresëlënëse të armëve, ushtria aktuale e Kinës mbetet e patestuar në luftë, pasi trupat e saj nuk kanë parë ndonjë betejë të vërtetë përveç disa përplasjeve kufitare me Indinë, një arsye pse qeveria shpesh është e etur të zhvillojë stërvitje, përfshirë së fundmi edhe patrullën e parë të përbashkët të nëndetëseve në Paqësor me Rusinë.

Por partneriteti që Pekini ka me Moskën dhe Phenianin nuk është si aleancat e Perëndimit.
Kina nuk beson në krijimin dhe ruajtjen e aleatëve tradicionalë; blloqet e sigurisë si NATO për Pekinin janë një ide e tmerrshme. Sipas Xisë, marrëdhënie të tilla kanë sjellë epokën e Perëndimit të dobësuar.

Për të, gjithçka ka të bëjë me “bashkëpunimin fitim-fitim”, siç shpall propaganda vetëm kur është e përshtatshme dhe e dobishme për Pekinin.

Kështu që hëpërhë, njerëz si Putini dhe Kimi mund të gëzojnë mbështetjen e tij, sidomos i pari, duke pasur parasysh ndihmën financiare që Kina i dha Rusisë pavarësisht sanksioneve perëndimore, duke rritur tregtinë dypalëshe në 245 miliardë dollarë vitin e kaluar, duke dërguar lloje të ndryshme pjesësh dhe materialesh për të mbështetur makinën e saj të luftës.

Por kjo mbështetje mund të mos zgjasë përgjithmonë, diktatorët, si Xi, janë miq shumë të paqëndrueshëm./The Telegraph