I ftuar në Report Tv, në një intervistë për Nertil Agalliun, juristi Kreshnik Spahiu analizoi përplasjen mes Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe kryeministrit Edi Rama, pas kritikave të këtij të fundit ndaj disa gjyqytarëve që me vendimet e tyre kanë penguar shembjen e disa ndërtimeve pa leje në vend.
Spahiu nënkuptoi në analizën e tij se të dyja palët, si gjyqësori ashtu dhe politika, janë fajtorë pwr përhapjen e dukurisë të ndërtimeve pa leje.
“Aktualisht shteti është përfshirë në një sërë vendimmarrjes administrative për prishjen e ndërtimeve pa leje. Gjyqësori me të drejtë, apo në anën tjetër, të gabuar, thotë që ky nuk është faji im. Realisht problematikat e ndërtimeve pa leje nuk janë përgjegjësi e gjyqësorit. Përgjegjësi ligjore e ndërtimeve të bëra pa leje, të cilat kanë vite që janë ndërtuar pa leje, nuk janë si pasojë e gabimeve të gjyqësorit, po si pasojë e papërgjegjëshmërisë së politikës që ka lejuar qindra dhe mijëra pallate të ndërtohen pa leje. Dhe një ditë të bukur politika thotë që ato pallate të cilat janë ndërtuar dhe unë nuk kisha kohë të merresha me to, sot do i prish. Por gjykata nuk mund të jetë palë e menjëhershme, sepse shpeshherë ndodh që vetë shteti brenda vetes nxjerr 2 vendime të gabuara. Nga ana tjetër, politika dhe shteti ka të drejtë në momentin kur ndërmerr një aksion për një vendimmarrje e cila ndikon për publikun, ku mund të bëhen pengesë pezullimet e gjykatave sepse këto nuk janë vendime përfundimtare. Gjykata nuk është se ka marrë një vendim dhe ka thënë qeveria nuk ka të drejtë, qeveria është gabim dhe ai që ka ndërtuar në mënyrë të paligjshme ka të drejtë. Jo. Gjykata ka pezulluar. Në raste të pezullimit, gjykata ka detyrimin që brenda 30 ditësh të marrë një vemdim përfundimtar për këtë çështje. Pra gabimi i gjykatave nuk janë thjeshtë vendime, por janë zvarritje. Pra për çështje të cilat ka një afat limit, të përcaktuar nga ligji për 30 ditë për çështje administrative, gjykata i lë për 3 apo 4 vjet, dhe pengon funksionimin e shtetit dhe ushtrimin e të drejtës së subjekteve private apo publike. Pra në momentin që gjykata nxjerr një akt pezullimi, nuk mund ta zgjasi përjetësisht”,- tha Spahiu./Shqiptarja.com