HYQMET ZANE

Kohë pas kohe ka pasur tendenca të orientuara nga një dorë e zezë për të hedhur baltë mbi figurën dhe personalitetin e shkrimtarit të Çamërisë, Bilal Xhaferi. Nuk dua të bëj krahasime, por kur kam pasur mundësinë, i kam pyetur të gjithë shkrimtarët shqiptarë 25 vjet më parë kur punoja në TV “Dardan” kur ata ishin gjallë dhe si në një unison më kanë shprehur konsiderata të larta për Bilalin dhe e kanë vlerësuar shumë veprën e tij.

Sidomos kritiku Adriatik Kallulli ka pasur një këndvështrim brilant për shkrimtarin e etnisë, siç e quante ai. Kohë më parë u hap një polemikë me një farë Meto Kondi, ish-komandant kufiri në Konispol për të denigruar figurën e shkrimtarit të shquar, Bilal Xhaferi. Ishin pjesë e asaj dorës së zezë që orientonte zëra të ndryshëm, që në skenën e gamës së shkrimtarëve shqiptarë të mos dilte kush tjetër në plan të parë, por vetëm njërit që kishte cinizëm dhe gjente aksesorë për të bërë sajesa se si u arratis Bilali në atë fundgushti 1969. E gjithë kjo ishte lufta e porositur që Sigurimi i Shtetit u ka bërë kohë më parë shqiptarëve të ardhur nga Çamëria.

Ishte modeli i njohur i urrejtjes që mbolli diktatura ndaj çamëve, shoqëruar me ligësi, injorantët e kohës, që edhe sot e kësaj dite nuk rrinë pa shpërfillur vlerat e shkrimtarëve jopartiakë dhe joshërbëtorë të partisë së Enver Hoxhës. Në rastin e Bilal Xhaferrit ka një tejkalim të ligësisë dhe vjelljes së vrerit, po aq sa edhe të survejimit dhe presionit ndaj një shkrimtari me cilësi të larta të gjenisë së tij. Ka pasur një skenar të mirëkurdisur, që të hidhet baltë ndaj shkrimtarit që jetoi e vdiq si një antikomist i betuar dhe shumë kritik ndaj sistemit stalinist.

E them me bindje dhe fakte se një dorë e zezë me mendësinë e moslejimit të asnjë figure tjetër në letrat shqiptare veç të atij që dinte të luante mirë rolin e një persekutori të çdo shkrimtari tjetër. Ka histori të marrëdhënieve me këdo edhe brenda rrethit familjar që mbante ai i njohur si shkrimtari i madh. Kishte edhe një dorë që i luante të gjitha fijet në shërbim të këtij shkrimtari që kërkonte izolimin e çdo figure tjetër në botën e letrave, sidomos ndaj Bilal Xhaferit kjo ka qenë e theksuar.

PAK RETROSPEKTIVË

A nuk ishte i tillë skenari ndaj Hilmi Seitit, ndaj Taho dhe Teme Sejkos, Tahir Demit dhe pjesëtarëve të tjerë çamë me të të ashtuquajturit “grup armiqësor”, me 11 pushkatime, me 10 vdekje në burgje, me 1450 vite burgim dhe me një mbështjellje diskriminimi krahinor? A nuk ishin të tillë të ashtuquajturit grupe armiqësore që u kurdisën ndaj elitës intelektuale shqiptare që pas ashtuquajturit çlirim të Shqipërisë e deri në ikjen në atë botë të diktatorit?

Çfarë nuk u sajua dhe nuk u intrigua ndaj një populli të tërë dhe vetë bllokut komunist që e bënë diktaturën në Shqipëri si më të veçantën dhe më të paimagjinueshmen. Filozofia antiçame e Enver Hoxhës ushqehej dhe nga grekët e Byrosë, që ishin pjesë e antishqiptarizmit që përshkoi si një fill i kuq qeverisjen e një kaste kriminelësh që mbolli vetëm zi. Ishte Sigurimi i Shtetit që bëhej pjesë e zbatimit të kësaj filozofie që nuk rrinë pa vjellë vrer ndaj çdo njeriu që futej në rrethin e kuq të “syrit vigjilent” të Sigurimit të Partisë së Punës.

DOKUMENTI I SIGURIMIT

Se çfarë kurdisej dhe thuhej për një shkrimtar nga Sigurimi i Shtetit, këtë më mirë na e jep vetë Feçor Shehu në procesverbalin e mbajtur dhe të raportuar për arratisjen e Bilal Xhaferrit, duke hedhur poshtë të ashtuquajtura rrëfenja intrigante të Meto Kondit të të kufirit grek, siç e kishte porositur Sigurimi? Nga burime të besueshme thuhet se Bilal Xhaferri është ndjekur gjatë gjithë jetës së tij nga sigurimsat që e ruanin dhe e spiunonin se çfarë bënte. Ikja e tij u dogji shumë atyre, siç edhe e thotë vetë drejtori i Parë i Drejtorisë së Hetimit, Feçor Shehu.

Ndërkohë që kam dëgjuar në formën e thashethemeve që kanë baza të vërteta se ekzekutimi i Bilal Xhaferrit është bërë në spital të Çikagos nga një njeri i dërguar nga Sigurimi enkas për eliminimin e tij. Sipas të thënave, personi në fjalë me inicialet H.P. nga fshat Pecan i Kukësit ka qenë ish-i burgosur për disa vrasje dhe që me kusht është nxjerrë nga burgu dhe i është besuar misioni i rëndësishëm. Për të realizuar “arratisjen” jashtë shtetit me shërbimin ndaj shtetit diktatorial, ai është stërvitur në luginën e Semanit në Fier ku thuhej se ishte baza e stërvitjes të të gjithë atyre që dërgoheshin me misione jashtë shtetit për vepra kriminale.

Më pas për të krijuar alibitë e tyre, e shtrojnë në spitalin psikiatrik në Elbasan dhe më në fund e dërgojnë me misionin ekstra në SHBA. Pasi ka studiuar rrethanat e punës së Bilalit, në bashkëpunim edhe me njerëz të tjerë të Sigurimit që jetonin në këtë qytet dhe që e njihnin mirë Bilalin, e realizon vrasjen e tij në kohën kur Bilali ishte i shtruar në spital, pas një operacioni. Në bashkëpunim, siç më është thënë nga një shtetas shqiptar që shkonte në Çikago, me një mjek serb që punonte në këtë spital, personi në fjalë është futur në dhomën ku ishte Bilali dhe e ka goditur atë me një send të fortë hekuri në kokë, pikërisht në vendin ku ishte bërë operacion, duke i shkaktuar vdekjen e plotë.

Thuhet nga i njëjti burim në Çikago, mjeku serb dhe vrasësi nga Shqipëria janë kapur dhe për shqiptarin, meqë kishte kartelë psikiatrie e kanë lënë të lirë, ndërsa mjekun serb e kanë dënuar me burgim të përjetshëm. Të gjitha këto dihen nga rrethe të ngushta të shkrimtarëve, por nuk thuhen për shkaqe personale, por që autori i kësaj vrasjeje sot jeton në një kryeqytet të afërt me Shqipërinë të vendeve europiane.

Ndoshta në të ardhmen do të dalin të vërtetat e cituara më sipër dhe do të sqarohen të gjitha enigmat e të vërtetave ndaj Bilal Xhaferrit, siç m’i ka konfirmuar edhe shkrimtari tjetër me orgjinë nga Çamëria, Bedri Myftari, mik i Bilalit. Shkrimtarë të njohur të vendit tonë që nga Dritëro Agolli dhe Ismail Kadare, Teodor Laço, por edhe Moikom Zeqo, po aq sa mbahet mend se janë shprehur, edhe Vath Koreshi dhe Adriatik Kallulli etj., do të duhet të flasin më shumë dhe më gjerë për Bilal Xhaferrin se kanë qenë edhe njerëzit që e kanë mbështetur atë dhe e kanë konsideruar mik të mirë. E ardhmja pret për këtë, sepse në një kohë që në mediat shqiptare dalin lloj-lloj historish banale me sigurimsa, të flasësh për Bilal Xhaferrin është detyrim dhe nder për një shkrimtar të madh dhe një meteor, që ishte njëherazi edhe një kundërshtar i regjimit që në gjen.

E vetmja e vërtetë

Motra e shtrenjtë e Bilalit, Antika, bëri gjithçka për të ndriçuar personalitetin e vëllait të saj, sa ishte gjallë ajo është shprehur: “Unë jam motra e vogël e shkrimtarit, të gjitha motrat e duan vëllain e tyre, por për mua Bilali ishte tepër i veçantë, u bë si një baba për ne kur ngelëm jetimë pas pushkatimit të babait tonë Xhaferit. Bilali ishte vëllai i gjithë shqiptarëve, i cili jetën e tij e shkriu si qiriri për lirinë tonë. Prandaj unë dhe të gjithë ne i detyrohemi pafund vëllait. Ekziston vetëm një e vërtetë për Bilalin dhe ajo e vërtetë është e pamohueshme.

Bilali u largua natën nga Shqipëria më 1969, pasi sistemi pas shumë peripecish u kthye në një kërcenim për jetën e tij, me letrën në xhep, që la në vijën e kufirit, të cilën e shkroi në shtëpinë time. Më kërkoi një letër vizatimi dhe kur e pyeta se përse e donte vizatimi, pasi qe e vështirë ta paloste më tha: – ‘kështu e ka kokën dhe ai që do e marrë’. E që prej asaj dite kurrë më nuk u pamë. Kur hyra në varrezat e Chicagos që do bënim zhvarrimin për t’i sjellë eshtrat e tij në atdhe më 1995, m’u duk sikur po më priste duarhapur. Kalova një hidhërim dhe një dëshpërim të madh dhe sot që shkruaj më duket sikur kam marrë në dorë lapsin e tij e po shkruaj. Trupi i Bilalit erdhi në bagazhin e avionit, në Rinas, në rrugë shtetërore me iniciativën time dhe u mirëprit falë gjithë atyre që me të vërtetë e respektonin si shkrimtar dhe si patriotin e tyre, të cilët e pritën me lot në sy si asnjë tjetër.

Aty ishin këshilltari i Presidentit Berisha, Kolec Topalli; ministri i kulturës Teodor Laço, Pjetër Arbnori dhe shumë qeveritarë, ushtarakë dhe personaliteteve të tjerë duke u përcjellë me homazhe nga shteti. Ndjehem e indinjuar kur shpesh lexoj tituj gazetash si ajo e datës 02, gusht 2019 ku thotë: ‘Kadri Hazbiu në Lidhjen e Shkrimtarëve disa ditë pasi iku Bilali: ‘Nëse nuk do ta vras, nuk do të më tresë as dheu’. Edhe pse nuk jeton më, Bilali merr respekt edhe pas kaq vitesh si dëshmi e asaj që me plotë gojë mund të themi se Bilali është më i gjallë se të gjallët”. Ai ka mundur të mbijetojë denjësisht për dje, për sot për të ardhmen. Shkrimtari nuk u largua kurrsesi në SHBA për interesa vetjake, as për të shijuar parajsat e Amerikës, por për dinjitet dhe për të shkruar veprat e veta. Për të gjithë ata që kane njohur Bilalin, e dinin se ai nuk jetoi mes rehatisë së privilegjeve që jetuan ca e ca. Për këtë flet edhe poezia e tij:

“Ti lulëzove në stinën me
rubla,
Kur ne të tjerët hamë
baltën e kënetave,
Ti u këndon serenata
rrugëve të Moskës,
Natashave, Tatjanave,
Katjenkave,
Kur ne të tjerët hamë
plumbat e mashinkave
Me kadifenë e poemave të
tua të kopjuara
Ti u jep xhelá çizmeve të
xhelatëve,
çizme të rënda me gozhda
të përgjakura
që shkelën mbi fytyrat
tona të masakruara.
Ti vinje nga sallonet e
aristokracisë së kuqe,
Vinje nga “Dasma” i
dehur me lavdi,
Unë vija drejt nga zemra e
popullit,
Vinja nga varrimi i babait
të pushkatuar,
Vinja nga varrimi i lirisë
së kombit.
Ne u ndeshëm në errësirë
Si dy re, në një natë me stuhi,
Por që të gjithë e dinë
mirë
Që shenja e furisë sime
s’ishe ti:
Unë u ndesha atje me
tiraninë
Hodha jetën time në
kthetrat e ujqërve
Dhe u shikova me vdekjen
time sy më sy”.

Ja si shkruante Bilali te revista e tij “Krahu i Shqiponjës” më shtator 1981: “Ka pasur përjashtime nga ky rregull? Ka pasur një përjashtim, poetin reaksionar dhe shoven Gjergj Fishtën. Dhe ishte pikërisht antiserbomalazez shovinizmi i tij. Por ç’bëri kultura shqiptare më këtë poet? Ajo e quajti përherë atë mish të huaj të saj dhe më 1944 Shqipëria e re e ndaloi veprën e tij. Pas vitit 1948 shumë here marrëdhëniet me Jugosllavinë u acaruan, por asnjëherë kultura jonë nuk thirri në shërbim shovinizmi antiserb të Gjergj Fishtës dhe as ka ndërmend ta thërrasë kurrë atë”.

EPILOG

Bilal Xhaferi ishte një meteor e i tillë do të ngelë para të gjithë atyre që me të vërtetë e njohin artin e letërsisë, jeta e tij qe e mbushur me dhimbje prej një sistemi, i cili shkaktoi dhimbje në gjithë zemrat e popullit shqiptar. Ai arriti të shprehte brendësinë e madhështisë së tij, arriti të tregonte aftësitë e tij në atë që vërtet dinte të bënte më mirë gjenia e tij, arriti të qëndronte besnik ndaj atdheut të tij, arriti të ishte i veçante, arriti t’i tregonte botës çfarë ndodhte në burgun më të madh me tre milionë njerëz atëherë kur askush nuk fliste. Arriti t’i bënte këto para se t’i merrnin jetën. E për aq kohë sa vdekja e tij ngeli një mister, e vërteta e tij do mbetet gjithmonë një episod i paplotë i zhytur në errësirën e atyre që shkelën mbi kufomat e të tjerëve për të shndritur sot.

Shqipëri 1976
Vend i vogël,
Kohë e vogël,
Rracion i vogël.
***
Errësirë e madhe,
Frikë e madhe,
Mjerim i madh.
***
Dhe rrugëve të atdheut,
Si kukuvajka nën hënë
Leh dhe ulërin
Gazi 69.