Australia ka njoftuar një investim gjigant prej 12 miliardë dollarësh australianë (rreth 7 miliardë euro) për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e flotës së saj të anijeve luftarake dhe nëndetëseve.
Ky fond do të përdoret gjithashtu për modernizimin e kantierit detar Henderson në Perth, i cili konsiderohet me rëndësi kyçe për sigurinë kombëtare dhe që në të ardhmen do të shërbejë si bazë për nëndetëset bërthamor.
Ministri australian i Mbrojtjes, Richard Marles, theksoi se investimi është i lidhur ngushtë me marrëveshjen Aukus, të nënshkruar mes Australisë, SHBA-së dhe Mbretërisë së Bashkuar, që synon rritjen e kapaciteteve të përbashkëta industriale dhe bashkëpunimit ushtarak në rajon. Sipas planit, deri në vitin 2027, SHBA dhe Britania pritet të përshpejtojnë programet e trajnimit të personelit detar australian.
Qeveria australiane deklaroi se ky projekt do të garantojë që tre vendet aleate të prodhojnë dhe të mirëmbajnë nëndetëse bërthamore për dekadat e ardhshme, duke rritur praninë e tyre ushtarake në Indo-Paqësor dhe duke kontribuar për sigurinë e stabilitetin global.
Në të njëjtën kohë, kryeministri Anthony Albanese njoftoi edhe një pakt të ri të mbrojtjes me Papua Guinenë e Re, i cili synon forcimin e mbrojtjes së përbashkët dhe rritjen e bashkëpunimit mes forcave të armatosura të dy vendeve fqinjë.