Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla deklaroi në Kuvend se maxhoranca do të propozojë krahas detyrave jetike edhe çështje të tjera, përfshirë reformën zgjedhore, e cila sipas tij duhet të nisë menjëherë. Një ndër ndryshimet e parashikuara është përfshirja në Kodin Zgjedhor e mënyrës së zgjedhjes së anëtarëve të Parlamentit Europian.

“Nëse ecim me këtë ritëm, siç e tha sot edhe komisionerja Marta Kos, ne do të jemi gati që të çojmë eurodeputetët shqiptarë në legjislaturën e Parlamentit Europian 2029-2034,” deklaroi Balla.

Balla tha se Partia Socialiste është e angazhuar të përmbushë të gjitha detyrimet që lidhen me procesin e integrimit europian, në bashkëpunim me opozitën parlamentare.

“Me angazhimin e plotë të kësaj shumice dhe kësaj pakice, shpresoj që t’i mbyllim kapitujt brenda Krishtlindjes së vitit 2027 dhe brenda vitit 2028 të shkojmë në parlamentet e vendeve anëtare për të përmbyllur këtu detyrat shtesë që lidhen me këtë proces,” u shpreh Balla.