Ish-presidenti i SHBA-ve, Barack Obama, është shpërblyer sërish me një tjetër çmim të rëndësishëm televiziv. Mbrëmjen e së dielës (7 shtator), Obama fitoi çmimin Emmy për “Narratorin më të mirë” gjatë ceremonisë “Creative Emmy Awards” për narracionin në episodin e dytë të serisë dokumentare të Netflix, Our Oceans, me titull “Oqeani Indian”.

Ky është çmimi i pestë Emmy për Obamën, dhe një nga më të rëndësishmit, pasi këtë herë ai mposhti një nga yjet më të mëdhenj të Hollivudit, Tom Hanks, i cili ishte gjithashtu i nominuar në të njëjtën kategori.

Triumf në një kategori me konkurrencë të fortë

Kjo është hera e tretë që Barack Obama shpallet fitues i çmimit Emmy për narracion. Më parë, ai ka fituar për rolin e tij si narrator në seritë dokumentare Our Great National Parks (2022) dhe Working: What We Do All Day (2023). Po ashtu, në të njëjtën periudhë ka fituar dy çmime Emmy për prodhime familjare, për Ada Twist, Scientist dhe We the People.
Sipas mediave ndërkombëtare, si Screenrant, ky çmim konsiderohet një sukses i madh për ish-presidentin amerikan, veçanërisht për shkak të emrave të mëdhenj që kishte përballë. Përveç Tom Hanks, në garë ishin edhe legjenda si Sir David Attenborough, aktori Idris Elba dhe aktorja/krijuesja Phoebe Waller-Bridge.

Nga politika në skenën artistike

Përveç sukseseve televizive, Barack Obama është fitues edhe i dy çmimeve Grammy për librat e tij audio: Dreams from My Father (2006) dhe The Audacity of Hope (2008).