Pas mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve, ku u diskutua struktura e re e Kuvendit dhe organizimi i komisioneve parlamentare, nuk kanë munguar përplasjet mes mazhorancës dhe opozitës.
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, akuzoi maxhorancën për një vendim të njëanshëm dhe antikushtetues, që sipas tij përjashton opozitën nga një prej proceseve më jetike për vendin – integrimin evropian.

“Ndryshimet për komisionet i morëm vesh nga mediat, në ditën e Asamblesë së PS-së. Është e papranueshme që Kuvendi dhe komisionet të mos jenë produkt i dakordësuar mes palëve. Për herë të parë në rajon, një vend – Shqipëria – i heq opozitës drejtimin e Komisionit të Integrimit,” – deklaroi Bardhi.

Ai shtoi se shkrirja e Komisionit të Integrimit me atë për Punët e Jashtme është një lëvizje e qëllimshme për të minimizuar rolin e opozitës në procesin e integrimit, duke theksuar se kjo bie ndesh me modelet e ndjekura nga vendet e rajonit dhe BE-së.

“Në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, ekziston një komision i veçantë për integrimin dhe ai drejtohet nga opozita. Shqipëria është i vetmi vend që jo vetëm e eliminon këtë komision, por edhe përjashton opozitën nga procesi,” – u shpreh Bardhi.

Nga ana tjetër, kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, mbrojti riorganizimin e komisioneve si një domosdoshmëri në funksion të efikasitetit të punës së Kuvendit, sidomos në një periudhë me zhvillime të rëndësishme për ekzekutivin.

“Në Shqipëri, Kuvendi duhet të ketë një organizim të ri me 11 komisione. Brenda kësaj jave duhet të shqyrtojmë dekretet për qeverinë dhe të përgatitemi për debatin parlamentar. Kjo është një etapë që duhet kaluar me urgjencë,” – tha Balla.

Ai sqaroi se situata aktuale nuk është qartësisht e parashikuar nga Rregullorja e Kuvendit, ndaj është i nevojshëm një adaptim institucional për t’i paraprirë sfidave të reja.