Përkufizimi i lirisë, sot, për ne bashkëkombësit e Nënë Terezës mbetet të bësh çfarë të duash, paçka se ke hyrë në hapësirën e lirisë së tjetrit, që mund të jetë konjukturalisht, politikisht, ekonomikisht, fizikisht më i dobët.
Dhe, më i forti sot e ngre kullën ku të dojë në kryeqytet, paçka se i vë dërrmën një pjese të trashëgimisë (Tirana e Durrësi janë të mbathur me raste të tilla); mund të marrë leje në çfarëdo hapësire, edhe pse mund të jetë mu midis Zonave të Mbrojtura; t’ia jep pa asnjë mëdyshje votën nëse ta kërkon (Rasti i Ramës me kërkesat për shkarkimet në pushtetin lokal dhe ‘gatishmëria’ e verbër e detashmenteve të drejtorëve të PS-së; rreshtimi i këshilltarëve socialistë të Bashkisë së kryeqytetit); e pasoja e të gjithës: verbëria dhe dorëzimi qesharak i lirisë. E PS-së konsiderohet si “disiplinë” dhe “unitet”, e njerëzve të PD-së përballë humbjes dhe përsëritjes së pushtetit të Berishës, duke ia dorëzuar vullnetarisht dhe me emfazë pushtetin, interpretohet si “boshllëk” dhe “mundësia e vetme” ndaj liderit historik.
Kjo tregon se e gjithë ajo që ndodhi në komunizëm nuk është se u kultivua thjesht e vetëm aty, por nga një devijim shumë më i thellë i individit shqiptar ndër shekuj. Të mjafton të shikosh epistolarët dhe letrat e shqiptarëve të kohërave të ndryshme kupton raportin e lirisë dhe përballjen tonë me të drejtën. Paradoksi është se jemi në shekullin XXI dhe tashmë në pragun e anëtarësimit në BE.
Propaganda alla Ramë po ia jep një dorë shndërrimit të lirisë duke ia mbytur konceptin e vërtetë dhe në tre mandate arriti të na trullosë me lugën bosh. Zyrtarët kanë premtuar se në vitin 2027, Samitin e NATO-s, një nga aktivitetet më të mëdha të historisë shqiptare organizuar në kryeqytet, do jemi duke e mbrojtur në hapësirën tonë me dronët “Made in Albania”; do kemi një pistë me parametrat e Federatave të Automobilizmit për garat ndërkombëtare elitare; një vend që do kemi Inteligjencën Artificiale si në pak vende dhe mjekët më elitarë në shëndetësi…
Dhe, sa shumë gjëra të tilla syresh. E ndërkohë që vazhdon e flitet për shëndetësinë falas dhe madje edhe për një fakultet tjetër mjekësie, Shqipërisë i largohen plot 350 mjekë çdo vit. Statistikat e INSTAT-it thonë se krahasuar vetëm me të njëjtën hapësirë kohore të vitit të shkuar, i ka firuar edhe gati 0.9 % e fuqisë punëtore. Nuk po adresojmë shqetësimin e mjedisit, ku nuk kemi guxim që të themi se liria jonë është cenuar frikshëm. Nuk mjaftojnë 5 miliardë euro për të ekuilibruar disi sfidat mjedisore dhe nuk dihet sa miliardë të tera, që llogaritur sipas Bankës Botërore, kërkohen për sfidat e ndryshimeve klimaterike. E për të gjitha vërtetë flitet por gjithnjë e më pak dëgjohet.
Ka shumë liri për të folur, por gjithnjë e më pak liri për t’u dëgjuar. Qytetari shqiptar i kërkon shtetit dhe Bashkisë që t’i japë ujë Tiranës, Rama merret me këshilltarët e Velisë që të heqin vetë Velinë. Ky i fundit në paradoksin e madh të asaj që i dha shqiptarëve dhe të akuzave marramendëse që duhet t’i sfidojë në gjyqin e afërt. Por shqetësimi më i madh për të gjithën është se kësaj propagande shqiptarët po i përkulen gati duke hequr vullnetarisht dorë nga liria. Ne tashmë jemi qesharakë jo thjesht sepse ankohemi, por votojmë sërish për të njëjtët njerëz dhe për të njëjtën status quo.
Një nënshtrim i tillë të bën të kujtosh kohën kur një gjendje e tille nuk ishte edhe në socializëm, kur rreziku i penalitetit ishte i egër dhe i pamëshirë. Atëherë liria ishte e kufizuar, sot është bërë e pakuptimtë dhe absurde. Zvetënimi i shqiptarit po merr trajta të frikshme dhe po kalon deri te grotesku. Një nga fazat e fundit të zvetënimit moral, që po i ndodh shoqërisë sonë.
“Të heqësh dorë vullnetarisht nga liria-ky është përkufizimi i të qënit qesharak. Nëse liria jote të merret me dhunë, afërmendsh se nuk je qesharak, përveç në rastin kur flasim për atë që ta ka marrë duke ushtruar dhunë. Por kushdo që e jep lirinë e tij, kushdo që po vdes për ta dhuruar atë, merr vendin e vet në mbretërinë e qesharakes; dhe sjell në mëndje dramat më të famshme të Ioneskos, duke u kthyer në burim komedie për të gjithë letërsinë. Ai që është i lirë mund të jetë i marrë, budalla, i neveritshëm dhe mjeran vetëm për faktin se është i lirë. Por, aman, nuk është qesharak”, shkruan Philip Roth te “Kafsha që po jep shpirt”.
Dhe, mandati i katërt i Ramës ka nisur në mënyrën më të mbrapshtë. U votua për programin e qeverisë nga mazhoranca pa e dëgjuar, kurse u peshkua paq opozita me “Diellën”, platformën e algoritmeve që e ka shmangur vëmendjen e shqiptarëve nga shqetësimet reale, ashtu si edhe interesin e të huajve për atë që ndodh në vend, duke u marrë me këtë risi të paparë!!!
Në fakt, ka disa individë që e kanë paraparë këtë. Dhe, shumë kohë para mendimit të Inteligjencës Artificiale. Si gjithnjë këta vinë nga arti. Është çështje mendore ajo që lidhet me lirinë, e shprehte Ionesko këtë paradoks. Sipas pikëpamjes së Ioneskos, liria nuk është vetëm çështje rrethanash të jashtme, por edhe një gjendje mendore. Ky koncept i kërkonte njerëzimit tonë që bashkë me kundërshtitë e veta, të gjente mënyra për të shprehur veten në mënyrë autentike. Kjo ka humbur mes nesh, kurse politika po na fut në një qerthull, ashtu si ndodhi me seancën e këshilltarëve të Bashkisë (të dy krahëve), tejet qesharake. Atë që e trandte më së shumti Ioneskon ishte lidhja me konformitetin.
Ndaj në drama si “Rinoceronti”, Ionesko jo thjesht e kritikon tendencën për t’u konformuar me normat shoqërore por edhe thekson rreziqet e histerisë masive dhe humbjen e individualitetit. Këto ditë kemi parë aq shumë sa për t’u lodhur me veten dhe atë që na rrethon, por më shumë se çdo gjë tjetër nga paradokset e politikës tonë. Vetëm me Ioneskon mund të gjesh sot një pikë referimi dhe shpjegimi për këtë transformim dhe dorëzim të lirisë që po i ndodh individit shqiptar. Që pas ca kohësh nuk do ketë më mundësi më të thotë se: Këtë nivel turpërimi si qënie na e bëri komunizmi apo mbretërimi i Zogut. Liria shfaqet dhe tregon staturën e brezave. Qoftë edhe për ne, njerëzit e Nënë Terezës! (Homo Albanicus) /Java News