Në këto kohë të këqija, të cilat lidhen me papritshmëritë e zhvillimeve ndërkombëtare dhe sidomos humbjen ngado të parimeve morale, mëtimet për qeverisje ndryshe të Shqipërisë ngjajnë thjesht si një iluzion i bukur. Dhe, të tilla, kemi shumë qysh prej fillimit të ekzistencës së shtetit shqiptar. Tashmë jemi të mësuar dhe e dimë se do t’i përsërisim. Tek e fundit është fenomen i njohur, Hegeli e shtrinte logjikën e historisë mbi kohët, kur shkruante: Historia na mëson se njeriu nuk mëson asgjë nga historia.

Kështu po ndodh sërish tashmë. Pak ditë para shpalljes së qeverisë Rama IV kanë filluar parashikimet për emrat, konfigurimin dhe idetë e kryeministrit më jetëgjatë të periudhës së demokracisë. Vetë kryeministri në një intervistë të ditëve të fundit dhe enkas për këtë temë do të shpaloste drejtimet e qeverisjes së tij, duke lënë publikun në gjendje suspanse për emrat e vartësve të vet dhe duke na treguar në formë vizionare synimet.

Në tre mandate, megjithë arritjet e vendit dhe sloganet e tij të dikurshme, fillimisht për Drejtësinë e re, pastaj për timon e tepsi, integrimin në BE së fundi, Shqipëria ka parë se mirëqenia ka mbetur larg mëtimeve zhurmëmëdha, kurse shqiptari i thjeshtë dhe i mesëm do të largohet. Në ag të mandatit të tretë, kur kryeministri gëzonte fitoren, fliste për plane strategjike dhe investime të mëdha, duke i çuar militantët e tij në një gjendje ekstaze. Në realitet, vërtet janë rikonceptuar aeroportet e Kukësit dhe Vlorës, por ato nuk janë funksionale. Portet janë ato që janë me problematikat e tyre, kurse infrastruktura lëngon. Megjithatë, në intervistën e fundit Rama këmbënguli për turizmin, sektor që tashmë sheh rritje të numrave por nga ana tjetër një mal me probleme që duan brez tjetër të ndreqen: Çmimet, shërbimet, hoteleritë, trashëgimia kulturore, infrastruktura, makutëria ta kërcasin përballë dhe të kthjellojnë se në post demokraci, shpesh mbushesh me lugë të zbrazët.

Industria ushtarake është një risi për vendin dhe kjo tashmë ka përfshirë të gjithë rajonin, ku serbët nuk ndalen dhe po kapin nivele të frikshme. Por Shqipëria po angazhohet sipas mënyrës së saj dhe po bën mirë. Paradoksalisht, deri pak vite më parë e shkatërruam pa asnjë plan dhe me një miopi të frikshme thjesht për të qenë korrekt me udhëzime burokratësh të huaj e vendas pa vizion dhe për të qenë korrekt me konjuktura pa sens.

Dhe, më mëtuesja nga premtimet e Ramës ka qenë përdorimi i inteligjencës artificiale për punën e administratës, që shikohet si mjet i sistemit të ardhshëm të prokurimit. Prej ditësh ky është bërë lajm ndërkombëtar, duke i besuar algoritmit atë që “Homo Albanicus” e ka bërë copë tani: Transparencën dhe panginjen në korrupsion. A mund t’i besosh një teknologjie, ende të pamaturuar, besueshmërinë e një shteti?! Këtë vetëm Rama e di, sepse vartësit e tij thjesht ngrenë supet për çdo gjë.

Ndërkohë Rama harron ose bën sikur harron mënyrën sesi u fut në pushtetin lokal dhe ku pa lapërdhinë e drejtuesve që ulnin kokën të zënë në faj. Të japësh dorëheqjen në grup, siç bënë ata, këtë mund t’ia kesh zili vetëm Koresë së Veriut. Ashtu, si mund të flitet shumë për shërbimet ndaj shqiptarëve, ku Reforma Territoriale, tashmë po tregon se është krejt e dështuar dhe e pamundur t’u shërbejë qytetarëve. Paaftësia e njerëzve të bashkive dhe bindja e tyre e verbër nga urdhrit të kryeministrit e tregoi më së miri këtë. Si për ironi, pushteti lokal duhet të jetë i pavarur.