Cristiano Ronaldo ka dalë në mbrojtje të Joao Felix, pas kritikave ndaj sulmuesit portugez për largimin nga futbolli europian drejt Arabisë Saudite. Felix, 25 vjeç, u transferua tek Al-Nassr nga Atletico Madridi këtë verë për rreth 28 milionë euro, pas disa sezonesh të vështira në Europë, duke përfshirë eksperienca te Chelsea dhe Milani.

Që nga bashkimi me Ronaldon në Riad, Felix ka pasur impakt të menjëhershëm: shënoi një “hat-trick” në debutim, dha një asist dhe u bë një nga lojtarët më kreativë të Al-Nassr. Megjithatë, podkasti portugez “Chuveirinho” e kritikoi ashpër, duke pyetur nëse largimi i tij nga Europa ishte i duhuri për një lojtar ende i ri.

Kjo duket se e irritoi Ronaldon, i cili në Instagram shkroi: “Idiotët nuk kuptojnë asgjë nga futbolli, por japin opinionet e tyre” (shoqëruar me tre “emoji” të qarash). Postimi u fshi më pas, por “Chuveirinho” e pranoi kritikën dhe postoi një mesazh pasues, duke pyetur nëse meritonin vërtet një reagim të tillë, duke pasur parasysh lavdërimet e tyre të mëparshme për Ronaldon.