Edi Paloka ka deklaruar se Sali Berisha mbetet figura kyçe dhe e domosdoshme për PD-në, në kushtet aktuale politike në vend.

Sipas tij, Berisha ka qenë njeriu që ka punuar më shumë se kushdo tjetër brenda PD-së dhe ka marrë përsipër barrën kryesore të denoncimit të asaj që e cilësoi si “farsë elektorale”.

“E kam thënë dhe më parë: Berisha është i domosdoshëm për partinë. Nuk e them se është Berisha, por sepse sot është i pazëvendësueshëm në këtë betejë,” theksoi Paloka.

Duke komentuar zërat brenda partisë që i referohen statutit të PD-së, sipas të cilit kryetari duhet të largohet pas humbjes së zgjedhjeve, Paloka tha se vendimet duhet të bazohen në interesin real të partisë dhe jo thjesht në interpretime formale të rregullave.

“Ata që na tregojnë statutin, harrojnë se ne jemi njerëz që gjykojmë. Nëse prej statutit do bëjmë një zgjedhje që i bën dëm partisë, kot jemi aty,” deklaroi ai.