Pavarësisht se kreu i SPAK-ut, Altin Dumani vazhdon të mbështetet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, lideri i opozitës, nuk i ndal sulmet ndaj atij që Amerika e ka nderuar me titullin e kampionit antikorrupsion.

Sali Berisha tha se nuk kishte dijeni për takimin e fundit që Dumani kishte zhvilluar në Uashington me zyrtarë të lartë të DASH.

“S’di gjë kë ka takuar. Nuk ka asnjë komunikatë”,- tha kreu i PD.

Një ditë pas vizitës së Dumanit në Amerikë, lideri demokrat doli në foltore për ta sulmuar kryeprokurorin për pagën e tij.

“Para jush me dhjetëra e dhjetëra herë kam denoncuar hendekun e madh midis rrogave minimale dhe rrogave maksimale. Ky hendek në Shqipëri është ndër më të thellët në botë. Në Europë po e po, por në botë. E thashë, Altin Troplini merr sa 15 rroga minimale. Imagjinoni ju një punëtore të thjeshtë në SKAP, e cila rrit tre fëmijë, katër fëmijë, dhe bosi Troplini merr 15 herë më shumë se ajo”, – tha Berisha ndër të tjera.