Sekretari i Përgjithshëm i PS dhe njëherësh deputet i kësaj force politike në legjislaturën e re, Blendi Klosi është shpallur fitues në Kategorinë e Dytë të Kampionatin Kombëtar të Padelit. Ai dhe ortaku i tij Saimir Ahmetaj kanë zënë vendin e parë.  

Klosi është ndër të paktët politikanë që ruan traditën e angazhimit të hershëm me sport, jo vetëm si spektator, por edhe si lojtar aktiv në disiplina të ndryshme. Këtë pasion e ka trashëguar dhe i biri, Aroni, i cili është basketbollist i ekipit kombëtar.

Club APG Tirana ka pritur për tre ditë me radhë më shumë se 100 sportistë të ndarë në 3 kategori të ndryshme, për meshkuj e femra, dhe dje është zhvilluar finalja e madhe duke shënuar dhe përfundimin e Kampionatit Kombëtar për vitin 2025.

Në kategorinë e I për meshkuj, medalje të artë kanë marrë Alensio Serjani dhe Martin Muedini, kurse të argjendtë Fjoralb Curri dhe Marco Montanaro. Ndërkohë, në kategorinë e II-të kanë triumfuar Blendi Klosi dhe Saimir Ahmetaj. Të argjendtë kanë marrë Xhorxh Gellci dhe Ylber Tola.

Vendi i parë në kategorinë e III-të është fituar nga Ergys Vladi dhe Donald Grabovari, kurse vendi i dytë nga ortakët Eldi Alimehmeti dhe Sokol Kepi.

Ndeshjet prodhuan shumë emocione dhe tërhoqën vëmendjen e shumë dashamirësve të kësaj disiplilne, ndërsa lojtarët zhvilluan një garë të bukur sportive, duke shënuar një hap të rëndësishëm për zhvillimin e sportit të Padelit në Shqipëri.

Në Kampionatin Kombëtar pati dhe garë mes vajzave dhe vendi i parë për kategorinë Femra u fitua nga Rea Qinami dhe Ida Goxha, kurse në vend të dytë u renditën Elonia Gjata dhe Alba Shuteriqi.
Në ceremoninë e dorëzimit të trofeve mori pjesë dhe Presidenti i KOKSH, Fidel Ylli, i shoqëruar nga Presidenti i Federatës së Padelit, Erion Keri dhe Presidenti I Federatës Hungareze të ping pongut, Imre Kovacsics.