Pasay City, Filipine – Italia në volejboll për meshkuj është fituese e Botërorit. Të ‘Kaltrit’ fituan 3-1 (25-21, 25-17, 17-25, 25-10) me sete kundër Bullgarisë në një finale të luftuar dhe me shumë emocione. Kampionë në fuqi në Botërorin e 2022, Italia mban fronin falë një forme fantastike në parket.

Në Pasay City në Filipine, 15 mijë të pranishmit në Pallatin e Sportit ishin dëshmitarë të një loje të shpejtë, sulmeve të sakta dhe disa gabimeve që nuk ishin deçizive për rezultatin final.

Në setin e parë, Italia fitoi 25-21, me bullgarët që rezistuan, por në fund ishin të ‘Kaltrit’ që fituan. Më pas, sërish Italia ishte më e saktë duke fituar 25-17 setin e dytë, për ta dërguar sfidën në pushim me rezultatin 2-0.

Bullgaria u kujdes të kundërpërgjigjej duke fituar 25-17 setin e tretë, me një lojë shumë të mirë. Paçka ngushtimit të rezultatit, Italia fitoi 25-10 në setin e katërt për t’u kurorëzuar për herë të pestë si kampione bote në volejboll për meshkuj. Te Italia, Romano me 22 pikë dhe Bottolo me 19 pikë ishin shënuesit më të mirë. Kujtojmë se Italia është kampione bote në fuqi edhe në volejbollin e femrave.

Bullgaria rikthehej në një finale Botërori në volejboll për meshkuj pas 55 vitesh, pasi për herë të fundit këtë sukses e arritën në vitin e largët 1970, duke humbur. Ky ishte Kampionati Botëror i 21-të në volejboll për meshkuj.

Skuadrat:

Italia – 5 Michieletto, 6 Giannelli, 7 Balaso, 8 Sbertoli, 9 Sani, 11 Rychlicki, 12 Bottolo, 14 Galassi, 16 Romanò, 17 Anzani S., 19 Russo, 25 Gargiulo, 28 Pace, 31 Porro. Trajner: De Giorgi

Bullgaria -1 Nikolov S., 3 Petkov, 4 Atanasov, 5 Naçev, 8 Asparuhov, 11 Grozdanov, 12 Tatarov, 15 Zhelev, 18 Antov, 20 Palev, 21 Dobrev, 22 Kolev, 23 Nikolov A., 29 Petkov. Trajneri: Blengini